Kusari-Lila: Putini po gënjen sot si dikur Millosheviqi për ta arsyetuar agresionin e vetë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, gjatë seancës së Kuvendit, ku pritet të miratohet “Rezoluta e Kuvendit të Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus”, ka thënë se bilanci i luftës në Ukrainë është i dhimbshëm.

Kusari-Lila tha se Rusia në Ukrainë nuk ka kursyer as spitalet e kopshtet e fëmijëve.

“Sot kur kemi hyrë në ditën e tetë të agresionit rus ndaj Ukrainës sipas Shërbimit të Emergjencës të këtij vendi, bilanci i luftës tregon për mbi 2 mijë civilë të vrarë, dy mijë refugjatë, goditje dhe shkatërrime të spitaleve, kopshteve të fëmijëve dhe shtëpi rezidenciale. Raketat goditen edhe spitalet për lindje, memorialin përkujtimor të Holokaustit, kullën televizive në Kiev dhe shumë institucione dhe objekte të tjera qeveritare”, tha ajo.

Pamjet e luftës në Ukrainë, Kusari-Lila i ka krahasuar me pamjet e luftës së fundit në Kosovë.

Kurse, për presidentin rus Vladimir Putin, shefja e grupit parlamentar të VV-së e ka krahasuar me liderin e Jugusllavisë, Sllobodan Millosheviq.

“Pamjet e luftës nuk janë diçka e panjohur për ne dhe për shtete e tjera në Ballkan. Skenari i agresionit rus ndaj Ukrainës sot ka të njëjtën dramë sikur skenari i gjenocidit të Milloshjeviqit në Ballkan. Vladimir Putin sot sikur dikur Sllobodan Millosheviq përdor çdo lloj propagande dhe gënjeshtre për ta arsyetuar agresionin e vet”, tha tutje ajo..

“Pas çlirimit të Kosovës dhe angazhimit të gjithë botës demokratike në shpalljen dhe forcimin e shtetit tonë ishte gati e pamundur që të mendohej se në një periudhë prej ty dekadash ngjarje të rënda dramatike që e mbyllën shekullin e kaluar bashkërisht do t’i përjetojmë”, tha ajo, teksa përmendi edhe numrin e vdekjeve të ushtrave dhe civilëve që pati Kosova në luftë me Serbinë”, ka thënë Kusari-Lila.

Kusari- Lila ka kujtuar edhe ish krerët e institucioneve të Kosovës, cilët po qëndrojnë në Hagë padrejtësisht.

“Sot kur shumë prej nesh përlotim duke shikuar në kohë reale se si vdekja po e rrethon Ukrainën e ndjejmë në palcë padrejtësinë të cilën edhe sot po e paguajmë, janë përfaqësuesit tanë në Hagë që po e ndjejnë se asnjëherë nuk kanë qenë në këpucët e agresorit, por kanë bërë vullnetarisht shkuarjen atje për vlerat e Kosovës, ato vlera që Evropa na tha se duhet t’i kemi”.

Ndërsa ka shtuar se, “Kosova dje dhe sot nuk është perfektë, por ka shumë rëndësi ku është burimi i pa përsosmërisë tonë a është në ndjenjën e lirisë dhe frymën e zhvillimit apo është në pushtimin dhe nënshtrimin e tjetrit”.