Kusari-Lila: S’mundet secili shtet të vijë e të bëjë rregulla në Kosovë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se s’mundet secili shtet të vijë e të bëjë rregulla në Kosovë.

Duke folur për planin e Qeverisë Kurti për deeskalim të situatës në veri, Kusari-Lila vlerësoi që duhet të ndihmohet edhe komuniteti serb në atë pjesë të vendit, njëherit të mbrohet liria e tyre.

“Duhet të ketë standard dhe normë të mirëfilltë ashtu siç e ka treguar shteti i Kosovës ndër vite të tëra. Të ndihmojmë të gjithë bashkë edhe komunitetin serb në veri dhe qytetarët e etnive tjera që të jetojnë në shtet të mirëfilltë demokratik në shoqërinë të cilën interesat e tyre përfaqësohen, liria e tyre mbrohet. Natyrisht duhet ta kenë të qartë që s’mundet secili shtet të vijë e të bëjë rregulla në Kosovë, qofshin ato dashamirëse ashtu siç deklarohen disa shtete, apo dashakeqe siç janë këto nga Serbia”, deklaroi Kusari-Lila në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Madje, Kusari-Lila e sheh problematike mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat veriore, derisa shtoi që presioni duhet t’i kthehet plotësisht Serbisë.

“Çka nëse nuk marrin pjesë përsëri serbët në zgjedhje, çka nëse e kemi një situatë të njëjtë dhe përfundojmë me kryetarët e njëjtë të komunave. Sa herë duhet të përsëritet cikli i zgjedhjeve që ta kuptojmë që nuk mund të shkojmë me udhëzime të organizimit të mbajtjes së zgjedhjeve sipas librit të Vuçiqit. Ky presion që po bëhet Kosovës duhet t’i kthehet Serbisë”, shtoi tutje Kusari-Lila, shkruan teve1.info.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se organizimi i zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, është mënyra e vetme për ndërrimin e pushtetit lokal në këto komuna të banuara me shumicë serbe.

Ai tha se është dakord për mbajtjen e zgjedhjeve, por shtoi se duhet të bëhen përgatitje që të ketë një fushatë fer e të hapur “në mënyrë që të mos ketë kërcënime dhe në fund bojkot sërish, e dalje të ulët”.