Kusari-Lila tregon se a do të jetë ambasadore në SHBA në vend të Vlora Çitakut

Deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka mohuar zërat se ajo mund ta zëvendësoj Vlora Çitakun, në postin e ambasadores në SHBA.

Kusari-Lila përmes një sqarimi në Facebook, ka thënë se nuk planifikon të ketë shërbim diplomatik.

“Për hir të së vërtetës dhe korrektësisë ndaj publikut, unë ju informoj se NUK jam e Nominuar për Ambasadore në SHBA dhe nuk planifikoj shërbimin diplomatik në këtë periudhë të angazhimit tim në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kusari-Lila.

Postimi i plotë:

SQARIM:

Pas publikimit të mesazhit tim urues për punën e kryer me dinjitet drejtuar Ambasadores së Republikës së Kosovës në SHBA, znj. Vlora Çitaku, u krijua një përshtypje dhe filloi të merret si i mirëqenë fakti, se unë jam e nominuara e radhës për postin e Ambasadores së Kosovës në SHBA.

Për hir të së vërtetës dhe korrektësisë ndaj publikut, unë ju informoj se NUK jam e Nominuar për Ambasadore në SHBA dhe nuk planifikoj shërbimin diplomatik në këtë periudhë të angazhimit tim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Unë vazhdoj të udhëheq subjektin Alternativa, jam deputete në grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në Kuvend shërbej në dy Komisione Parlamentare në cilësinë e anëtares: Komisionin për Buxhet dhe Transfere dhe Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, ku jap kontributin tim profesional për fushat shumë të rendësishme të jetës së qytetarëve të Kosovës.

Unë ju falenderoj të gjithëve për mendimet e mira dhe urimet tuaja dhe shpresoj në të ardhmen e afërt t’i meritoj me rast të mirëqenë nga shërbimi për të cilin kam marrë besimin e popullit.