Kush del kundër popullit, e pëson si karnavalet e Haxhi Qamilit

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit elektoral në Vlorë theksoi se, opozita pas 30 qershorit do të luftojë me xhezve mes vetes, se çizmet i lanë në parlament.

Duke folur në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale, Rama tha se opozitës sot iu pre vajguri, e ku i ka mbetur vetëm xhezvja. “Për Saliun nuk po ju flas, se e njihni vetë. Po të ishte këtu sot, do kishte thënë se në Vlorë u mblodhën 2 milionë njerëz, në fakt nuk janë 2 milionë, por janë 20 mijë. Nuk janë turistë politikë, të ardhur me autobus si punonjës bashkisë, por janë bio nga Vlora e historisë, e detit dhe malit, nga nëna e tyre dhe Ismail Qemali”, – tha Rama.

“Saliu ju njeh mirë, nuk ka nevojë për më shumë prezantime, por ju kujtohet Bert Vërria, në momentin e fundit, me ato skapamentot e makinës dhe çingijet e tij, fiks, atë fytyrë ka tani që po na ndjek nga ekrani Salvador Haxhiqametaj, bashkëluftëtari i fallxhores, dhe atë fytyrë ka dhe Xhulieta e Saliut. Për fallxhoren s’po ju flas, se sot mbaroi kafja turke. Sot u pre korenti dhe s’ka më vajgur për revolucionin. Sot ka mbetur vetëm xhezvja për t’i rënë njëri-tjetrit. Do e shikoni shumë shpejt se si do vijojë lufta me xhezve, se çizmet ngelën në parlament”, – shtoi Rama.

“U thanë shqiptarëve se do të ndodhte hataja. U thanë shqiptarëve se do vinte qametit. Thanë se do rishfaqej ’97 në rrugët e qyteteve të tyre. E bënë, sepse ata vërtet janë gati ta djegin Shqipërinë. Sulmuan shkollën, fiks njësoj si Haxhiu. Dogjën palestrën e re të fëmijëve, bashkë me materialet zgjedhore dhe po mbrëmë, doli Xhulieta dhe akuzoi Policinë se ka sulmuar Policinë. Qeverinë s’e ka vënë Policinë për të sulmuar Policinë, për të provokuar një konflikt që e dua unë dhe jo ai. Por çfarë ndodhi? Pasi ujqërit u bënë lepuj në prangat e drejtësisë, doli kryetari i bashkisë që tha se nuk e kam bërë unë, e ka bërë partia. Dhe këtu ja përsëris, s’e shkrova e s’po ndihet. Artist, dil sqaroje këtë punë! Ti thua e kemi bërë ne, ai thotë e ka bërë partia. E di shumë mirë kush e ka bërë, e keni bërë bashkë, të shisni njëri-tjetrin, kështu vete kjo punë, ju që doni të shisni Shqipërinë do shisni njëri-tjetrin”, – vijoi Rama referuar sulmit në KZAZ në Vaun e Dejës.

“Unë përsëri dua t’ju dal borxhit të gjithë kryebashkiakëve, që Luli nxori pa punë. Nuk jua kam fajin unë, s’jua ka fajin Partia Socialiste, se i hytë luftës kundër shqiptarisë. Ata kryebashkiakët ta dinë mirë, ta lënë lojën e bravave, lumëmëdhenjve, janë katandisur që ndërrojnë bravat e shkollave për të ndaluar Shqipërinë që të ketë një të nesërme duke ndërruar brava. Po ku ka bravë që ndalon shqiptarin të hapë derën. Por nëse do të duhet që votuesit të hapin derën, kush ka ndërruar bravën, do ndërrojë dhe rezidencën, nga shtëpia, tek vendi”, – shtoi Rama, përcjell atsh.

“I mori Luli, i bëri të tërë një tufë të papunësh. Deputetët pa punë, kryebashkiakët pa punë, tani edhe baba Xhikja po përgatit letrat e papunësisë, të gjithë me ndihmë ekonomike do jenë pas 30 qershorit”, – theksoi Rama.

“Në fakt, kjo është për të qarë e qeshur, por ata që donin ta bënin Shqipërinë të qante, do ti largojmë me të qeshur, dhe do mbyllen në shtëpi pasi t’i përcjellim me një të qeshur të dielën”, – nënvizoi Rama.

“Përmendën një Martin Henze, këshilltar të Merkel, që CDU deklaron se s’ka lidhje me këtë njeri. Edhe për këtë ke gënjyer, o Lul. Ky këshilltari kishte thënë se Ramën shumë shpejt do ta çojmë në Gjykatën Ndërkombëtare. Luli ka një stil, gënjeshtra e dytë mbulon të parën, dhe e treta kalon të dytën. Dhe PD prandaj është katandisur me çingijet e Agron Shehajt atje, si një çetë e vogël, që për fatkeqësinë e tyre, por dhe për ironi të madhe të historisë, pasi kush tundon Perëndinë thonë, nga tundimi shpërblehet siç e meriton”, – theksoi Rama.

“I mbani mend ato komunistët, më fanatikët, që mblidheshin si këta për të ndaluar atë dallgë të madhe që kishte sjellë PD e për të ndaluar shqiptarinë që kishin dalë nga diktatura. Ata të paktën, e bënë në kohën kur ende s’kishte asnjë lloj dritareje tjetër. Këta janë çetat haxhiqamiliste të kohës së internetit, mbeturina digjitale të historisë. Aq sa ata atëherë e penguan dallgën e lirisë, aq dhe këta do na pengojnë ne”, – shtoi Rama.