Kurti: Dialogu dhe bisedimet janë për statusin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, nuk janë për statusin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një lidhje direkte pas përfundimit të mbledhjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti ka folur edhe për funksionimin e politikës së jashtme të Kosovës, ku ka thënë se vendi ynë është duke zhvilluar një diplomaci intensive dhe shumë më cilësore se në vitet e shkuara.

Kurti deklaroi se kurrë nuk ka pasur për vetëm tre muaj më shumë vizita të udhëheqësve ndërkombëtare e kryediplomatëve nga jashtë si dhe pritje jashtë vendit të presidentes Osmani, kryeparlamentarit Konjufca, kryeministrit e ministres Gërvalla.

“Jemi duke zhvilluar një partneritet edhe më të fortë me SHBA-të e ku së fundi kemi diskutuar për blerjen e dronëve dhe armatimit tjetër për Ushtrinë e Kosovës. Kosova është e përkushtuar për paqe dhe fqinjësi të mirë dhe vetëm kështu do të ecim krahë për krahë me aleatët tanë në rrugën e integrimit veri-atlantik. Sa i përket marrëdhënieve me Shqipërinë janë esenciale dhe do të zhvillohen si të tilla”, tha Kurti.

Tutej ai shtoi se sa i përket raporteve me Serbinë të gjithë tashmë i dinë katër propozimet e dhëna më herët e që janë theksuar në takimin e 15 qershorit në Bruksel.

“Të gjithë e dimë kërkesën për marrëveshjen përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme. Për neve marrëveshje përfundimtare është ajo që nuk e ndanë njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB. Marrëveshja është ligjërisht e obligueshme nga pikëpamja jonë atëherë kur ajo ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshje ndërkombëtare sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës së Vjenës për ligjin mbi Traktin”, shtoi Kurti.

Si qëndrim të tretë Kurti tha se dialogu dhe bisedimet nuk janë për statusin e Kosovës por për statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Po bëhen 23 vjet bisedime në mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, por këto nuk mund të vazhdojnë pafundësisht. dialogu dhe bisedimet nuk janë për statusin e Kosovës por për statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e që duhet të bazohen në barazi dhe reciprocitet e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjellët. Qëndrimi katërt është se Pavarësia që e kemi është kompromis, nuk e kemi shpallur vitin e kaluar por para 13 vjetëve. Në katër vitet e para pavarësia e kishte Peter Faith sipër si autoritet sovran, e tash e 13 vjet e ka Ahtisaarin brenda si kompromis që është dashur ta sjellë një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por që nuk ndodhi asnjëherë”,tha ai.
Kurti tha se këto katër qëndrime që u potencuan sot janë pjesë e vlefshme e ecjes drejt të Kosovës.