Kushtetuesja për rastin e ish-ambasadorit Kastrati: Tri gjykata ia cenuan të drejtat e garantuara

Politikë

Kushtetuesja për rastin e ish-ambasadorit Kastrati: Tri gjykata ia cenuan të drejtat e garantuara

news image
sinjali
Sinjali.com
13 Janar 2023 16:23
Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme ia kanë mohuar qasjen në drejtësi ish-ambasadorit të Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati.

Ky i fundit, ishte ankuar në këto gjykata pasi kishte kontestuar dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e tij nga posti i ambasadorit.

Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese është thënë se këto tri gjykata, duke hedhur poshtë padinë e parashtruesit të kërkesës, ia kanë pamundësuar atij të drejtën për “qasje në drejtësi”.

“Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se hedhja poshtë e padisë së parashtruesit të kërkesës si e palejuar, i kishte pamundësuar atij të drejtën për “qasje në drejtësi” në cenim të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konkludoi se, Aktgjykimi [ARJ.nr.84/2021] i Gjykatës Supreme, i 22 shtatorit 2021, Aktvendimi [AA.nr.612/2021] i Gjykatës së Apelit, i 13 korrikut 2021, dhe Aktvendimi [A.nr.1297/2021] i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i 1 qershorit 2021, nuk janë në përputhshmëri me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.