Kuvendi nesër në seancë të jashtëzakonshme për gjendjen me COVID-19

Kuvendi i Kosovës do të mbajë të enjten paradite seancë të jashtëzakonshme.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media të Kuvendit, seanca do të nisë nga ora 11:00 ku do të zhvillohet debat parlamentar për gjendjen në vend me koronavirusin, transmeton Fokusi.info.

Ndërkaq pas kësaj, prej orës 15:00 do të vazhdojë seanca e rregullt e kuvendit, ku në rend të ditës, janë:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit ne.08/L-035 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-017 për ndihmën Juridike Falas,

4. Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-118,
5. Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve,
6. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb,

7. Raportimi i Qeverisë së Kosovës në Kuvend rreth “Progresit në përfshirjen e objektivave të zhvillimit të Qëndrueshëm në legjislacion, politika dhe buxhet”,
8. Debat parlamentar lidhur me Raportin për Vendin për vitin 2021,
9. Zëvendësimi i anëtarit të GP LS në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e komuniteteve dhe Kthim. ​