Ky është i dyshuari që shkrepi shtatë plumba në Termocentralin Kosova A

Në njërën nga hyrjet e Termocentralit Kosova A në Obiliq ka pasur të shtëna me armë zjarri, dje në orët e pasdites, me ç’rast janë gjetur shtatë gëzhoja në vendin e ngjarjes. Lidhur me këtë rast janë identifikuar dy persona, njëri prej të cilëve është dërguar në mbajtje.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë thonë se bëhet fjalë për Arben Shabanin, mbi të cilin rëndon dyshimi se ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm në momentin kur ka gjuajtur me armë brenda rrethojave të termocentralit.

Ndërsa i arrestuari i dytë është personi Abdurrahman Qerkezi, i cili ia ka dhënë armën të dyshuarit tjetër për të shtënë dhe më pas i njëjti ia ka kthyer.

Sipas informatave të para, i dyshuari Shabani, ndër të tjera para hetuesve policorë ka deklaruar se nuk ka ndonjë motiv të caktuar pse ka gjuajtur me armë zjarri.

Njësitet policore tashmë kanë konfiskuar armën që është përdorur nga i dyshuari, e cila do të shfrytëzohet si provë në këtë rast.

Me urdhër të Prokurorit Shabani është ndaluar për 48 orë si i dyshuar “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.