Ky është i ftuari tjetër nga Gjykata Speciale, OVL UÇK e quan skandal fletëthirrjen për të

Përmes një reagimi për media, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e rithekson se drejtësia ndërkombëtare as nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë e besueshme dhe serioze, shkruan fokusi.info.

Ata fletëthirrjen e re për të ftuarin nga Gjykata Speciale, Adem Delija nga Prizreni, e quajnë skandal për shkak se ditën që do të duhej të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar, edhe i dorëzohet fletëthirrja.

Reagim i plotë:

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka theksuar vazhdimisht se drejtësia ndërkombëtare, që prej UNMIK-ut, EULEX-it e deri te Gjykata Speciale, as nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë drejtësi e besueshme dhe serioze.

Reagimin e bazojmë, përveç tjerash, edhe në lojën me ftesa e cila bëhet përmes telefonatave, rrjeteve sociale, por edhe fletëthirrjet që po iu dërgohen personave anekënd Kosovës.

Rasti më i freskët është edhe skandali i radhës, sepse fletëthirrja që i është dërguar bashkëluftëtarit tonë Adem Delija nga Prizreni, në të cilën i shkruan se duhet të paraqitet si i dyshuar për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, me datë 3 tetor 2019, i dorëzohet po të njëjtën ditë me datë 3 tetor 2019.

Prishtinë, Kryesia e OVL UÇK-së
4 tetor 2019 ____________________