Bytyçi nuk e kupton kundërshtimin e SHBA-së për Ligjin për vlerat e UÇK-së

Deputeti i Kosovës, Gazmend Bytyçi, ka thënë se nuk e kupton kundërshtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka thënë se ky projektligj nuk cenon lirinë e shprehjes, teksa thekson se për të njëjtin do të pranojnë të gjitha këshillat që do të vijnë nga Ambasada e ShBA-së gjatë leximit të dytë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ajo e cila ka luftuar për lirinë e shprehjes, është ajo e cila ka luftuar për lirinë e popullit shqiptar. Nuk e kam kuptuar, nuk e kuptoj ende se në cilin nen apo paragraf e cenon lirinë e shprehjes apo frikëson ndonjë grup të qytetarëve të Kosovës. Për mua është ende e pakuptueshme, megjithëse qëndrimi im personal dhe i PDK-së është që ne do të jemi të gatshëm që të pranojmë të gjitha këshillat juridike apo miqësore të Ambasadës Amerikane që mund t’i inkorporojë në leximin e dytë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

“Ky ligj është publik dhe në kuadër të tij janë dokumentacione të tjera, si Zyra Ligjore e Kuvendit të Kosovës, e cila thotë se ky ligj nuk cenon apo i përmbushë të gjitha standardet e ligjeve të Bashkimit Evropian. Prandaj, ne nuk shohim se kemi diçka të ngjashme që mund ta frikësojë një grup apo individ të caktuar. Ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së nuk është ligj që penalizon dikë, frikëson dikë, por ligj që promovon të kaluarën tonë historike si vlerë të veçantë kombëtare”, është shprehur tutje ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur kundër ligjit të propozuar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Tani, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, në një shkrim ekskluziv në Koha Ditore, shpjegon arsyet pse. Kosnett, në shkrimin e tij autorial që publikohet të premten, sqaron se cilat janë problemet me ligjin e propozuar dhe propozon zgjidhjen alternative që do t’i nderonte luftëtarët e UÇK-së, në vend se ta minonte trashëgiminë e saj.