Ky është kandidati i Vetëvendosjes për Pejën

Gazmend Agusholli i nominuar nga Qendra e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ në Pejë, si kandidat për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti, tani po e pret edhe miratimin formal nga Këshilli i Qendrës i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’.

Më 9 maj, Lëvizja ‘Vetëvendosje’ në Pejë, nxori kandidaturën e Gazmend Agushollit për kryetar të komunës së Pejës nga ky subjekt.

Agusholli ende nuk ka filluar fushatë publike për garën, mirëpo duket se fokusi i tij i këtyre ditëve janë takimet kokë më kokë me qytetarët e Pejës.

Në një deklarim për ‘RADIO 1’ sot Gazmend Agusholli pohon se emri i tij ka shkuar tek Këshilli i Qendrës dhe se aty do vendoset për miratim, procedurë kjo logjike dhe derivat i statutit të VV-së.

“Kandidatura ime vendoset në Këshillin e Qendrës. Është kjo një procedurë, një filtër normal që vlen për të gjitha komunat, respektivisht kandidaturat për komuna.”-tha Agusholli për ‘RADIO 1’.

Sa i përket kanidaturës së Gazmend Agushollit, Berat Ganiqi – Zyrtar i lartë i VV-së në Pejë dhe këshilltar politik i Ministrit Liburn Aliu, thotë për ‘RADIO 1’, se emrin i Gazmend Agushollit ka marrë mbështetjen dhe dritën jeshile nga kryesia e degës së Pejës. Ganiqi nuk sheh asnjë problem ngecjeje në këtë drejtim meqë edhe disponimi për Agushollin, në të gjitha nivelet është shumë pozitiv, sikur që edhe tek qytetarët.

“Gazmend Agusholli është kandidati i propozuar nga Kryesia dhe tani ka mbetur të vendoset vetëm edhe ne Këshillin e Qendrës duke respektuar normat statutore. Ne jemi dakorduar për të dhe me kompetencë ju them se disponimi i shumicës është shumë pozitiv dhe shumë i mirë në të gjitha nivelet sikur edhe tek qytetarët, për Gaz Agushollin.”-thotë Ganiqi.

Gazmend Agusholli është mjek stomatolog me profesion. Rrjedhë nga një familje e respektuar e Pejës. Ka qenë ushtar i UÇK-së. Ka qenë prej themeluesve dhe kryetar i partisë ORA në Pejë.

Në një mandat ka qenë edhe nënkryetar i Komunës së Pejës.