Ky është shtetasi serb që u arrestua në veri pasi u kap me mbi 6 mijë fishekë të kontrabanduar

Një person është arrestuar sot rreth orës 13:30 në fshatin Jashanicë të Leposaviqit, pasi u kap nga Policia e Kosovës me 6 mijë e 300 copë fishekë të kontrabanduar nga Serbia.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e veta se bëhet fjalë për Zhivorad Jovanoviq, 42-vjeçar.

Përmes një komunikate për media, Policia njofton se i dyshuari i nacionalitetit serb, u ndal në një pikë kontrolli dhe gjatë kontrollit të veturës janë gjetur 6 mijë e 300 fishekë, të cilët janë konfiskuar.

“Sot, më 21.02.2023, rreth orës 13:30, në fsh. Jashanicë të Leposaviqit, në një pikë kontrolli, Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare-Veriu, kanë ndaluar një automjet me targa të Serbisë të cilën e drejtonte një mashkull serb. Policia gjatë kontrollit të automjetit, ka gjetur rreth 6300 (gjashtë mijë e treqind) copë fishekë. I dyshuari (J.Zh, viti i lindjes 1981) është shoqëruar në polici”, thuhet në komunikatë.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se kjo rithekson sërish faktin se grupe të caktuara, të orkestruara dhe mbështetura nga Beogradi synojnë dhe angazhohen maksimalisht që të destabilizojnë vendin tonë.

“6.300 sasi të municionit janë konfiskuar sot nga Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit në Joshanicë, në veri të Kosovës. Gjatë patrullimit është ndaluar vetura e dyshimtë me targa të serbisë e një shtetasi serb dhe njësitet relevante tashmë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.  Kjo rithekson sërish faktin se grupe të caktuara, të orkestruara dhe mbështetura nga Beogradi synojnë dhe angazhohen maksimalisht që të destabilizojnë vendin tonë”, shkroi ai.

Ndryshe, pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit, Jovanoviq është dërguar në mbajtje.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.