Lajçak arrin në Kosovë, Bislimi e pret në darkë pune, Qeveria thotë se nuk ka kërkesë për takim

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka arritur në Kosovë.

Pamjet e prezencës së tij në vend, përmes videove dhe fotografisë, janë publikuar nga gazetari Venhar Isufi.

Gjatë ditës, Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi për REL ka bërë të ditur se Bislimi dhe Lajçak do të ulen sonte së bashku në një darkë pune.

Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se Lajçak nuk ka lënë takim me Kryeministrin Albin Kurti.

“Për takimet e Kryeministrit Kurti me z. Lajçak njoftoheni gjithmonë paraprakisht. Ne nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga z. Lajçak për takim me kryeministrin Kurti”, ka thënë Kryeziu për T7.

Lajçak ka qëndruar në Prishtinë të premten që shkoi bashkë me një ekip diplomatësh evropianë dhe përfaqësuesin amerikan, Gabriel Escobar.

Pas kthimit në Bruksel, Lajçak ka zhvilluar disa takime me shtetet të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.