Lajçak takohet me Bislimin, diskutuan për hapat e ardhshëm të dialogut

Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar edhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Lajçak ka bërë të ditur se me Bislimin ka biseduar për procesin e dialogut me Serbinë.

“Me zëvendëskryeministrin e parë dhe kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi, kisha një diskutim të thelluar për takimin e javës së kaluar në Bruksel dhe rreth përgatitjes për hapat e ardhshëm të procesit të Dialogut”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Lajçak gjatë ditës ka takuar kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, derisa gjatë vizitës së tij treditore në Kosovë, pritet të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të lartë./Lajmi.net/