Lajmi i fundit: Pritet dorëheqja e ministrave të AAK’së, Haradinaj largohet nga Qeveria

Ministrat e AAK’së pritet të japin dorëheqje pas nënshkrimit të marrëveshjes nga kryeministri Hoti me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, e rrjedhimisht, partia e Haradinajt largohet nga koalicioni qeverisës me LDK’në.

Kreu i AAK’së Ramush Haradinaj kërkon të mos nënshkruhet marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, për të cilën është dakorduar dje kryeministri Avdullah Hoti në takimit me Vuciqin, të ndërmjetësuar nga amerikanët.

Mësohet se Haradinaj e ka njoftuar LDK’në se do ta braktisë Qeverinë, nëse sot nënshkruhet marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë.

Pak orë para nënshkrimit të marrëveshjes, ka pasur përplasje mes kryeministrit Hoti dhe të dërguarve të Haradinajt, pasi ai nuk po pajtohet me marrëveshjen.

Haradinaj ka thënë sot për Evropën e Lirë se nuk e pranon marrëveshjen që pritet të nënshkruhet sot, pasi, sipas tij, aty bëhet fjalë edhe për Liqenin e Ujmanit në veri të Kosovës.

“Ujmani është një liqe që ka 9,2 kilometra në territorin e Kosovës, dhe ka 2,7 në territorin e Serbisë. Pra, është një kufi ujor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka edhe një hidrocentral në brendi të Kosovës. Ne nuk e vlerësojmë që duhet të jetë në një marrëveshje trelaterale ku është edhe Serbia palë e ardhmja e Ujmanit. Jemi të hapur me Departamentin e Energjisë të Amerikës për të ardhmen e Ujmanit, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku edhe Serbia është palë, lidhur me të ardhmen e Ujmanit”, tha Haradinaj.

Ai madje e ka paralajmëruar pak më parë se po rrezikohet qëndrueshmëria e koalicionit nga pranimi i një marrëveshje tripalëshe që e përfshin edhe Ujmanin.

“Kjo do të ketë ndikim të madh në të gjitha marrëdhëniet që kemi politike sepse AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje dhe në çfarëdo forme, që të ndihmojë në një marrëveshje ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”, ka thënë ai.

Ndryshe, Shtëpia e Bardhë ka raportuar se në orën 11:00, sipas kohës lokale të Uashingtonin (që i bie të jetë në orën pesë pasdite në Prishtimë) në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes merr pjesë edhe presidenti amerikan, Donald Trump.