Largohet nga puna Gani Bajraktari: Kardiologu i njohur që akuzohet për skandalin e Stentave

Kardiologu Gani Bajraktari është larguar edhe zyrtarisht nga puna që kishte në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas skandalit që bëri me një pacient.

Një familjar kishte dërguar babain e tij të sëmur në QKUK për tretman mjekësor, por aty kishte dal kardiologu Gani Bajraktari i cili kishte thënë pacientit të sëmur që të shkojë për tretman mjekësor në Spitalin privat Amerikan.

Kjo kërkesë e Gani Bajraktarit kishte shtyrë familjen e pacientit që të ankohet tek Inspektorati i Punës, ku këta të fundit pas kësaj menjëherë kishin suspenduar atë nga puna, shkruan Gazeta Metro.

Por, nuk ka shkuar shumë gjatë, Metro mëson se nga hetimet rreth këtij rasti Gani Bajraktari tani është larguar përfundimisht edhe nga puna që ka në QKUK dhe Prokuroria e shtetit ka filluar hetimet ndaj tij.

Ky vendim për Bajraktarin vjen pasi ky i fundit kërkoi nga familjari ta dërgojë babanë në një spital privat për të kryer koronarofrafinë me një paketë ofertë, gjë që është e kundërligjshme dhe shkel rregulloret e punës në QKUK.

Familjarët e pacientit kishin këmbëngulur që koronarografia të kryhej në QKUK dhe kjo ishte realizuar më 30 janar të këtij viti. Pacienti ishte diagnostikuar me dy ngushtime të arterieve, njëra 90 për qind dhe tjetra 95 për qind.

Njëra arterie është stentuar dhe tjetra, sipas mjekëve nuk ishte urgjente dhe ishte lënë për më vonë. Por familjari është ankuar se që nga 6 shkurti, ditë kjo kur kanë bërë terminin për stentën e dytë, nuk janë ftuar më nga klinika për të kryer intervenimin.

Kujtojmë se Gani Bajraktari është njëri nga të akuzuarit nga Prokuroria për skandalin e Stentave. Ai akuzohet se ka përfituar para në vlerë 20 mijë euro nga referimi i pacientëve për në spitale private për të kryer stentimin.