LDK e VV përsëri me qëndrime të kundërta, kësaj radhe rreth gjendjes së jashtëzakonshme

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme si partnerë të koalicionit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sonte pas takimit me Këshillin e Sigurisë Kombëtare ka propozuar të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë – propozim ky që ishte kërkuar sot gjatë ditës nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa por u kundërshtua para pak minutash nga kryeministri Kurti.

Thaçi tha se në bazë të kompetencave të tij ka vlerësuar se duhet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në funksion të koncentrimit të të gjitha potencialeve në luftimin e përhapjes së koronavirusit.

E shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme ishte kërkuar sot gjatë ditës nga lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

“Duhet të veprohet sa më shpejt edhe me gjendje të jashtëzskonshme, sepse po përballemi me një fatëkeqësi e cila po shpërndahet në tërë territorin e Kosoves. Pse të pritet më shumë. Kushtetuta ka folë qartë!”, kishte shkruar sot Mustafa.

Por, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme e ka kundërshtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke e konsideruar si të panevojshme dhe si mundësi e krijimit të konfuzionit tek qytetarët.

Këtë e ka bërë të ditur zëvendësi i dytë i Kurtit, Haki Abazi i cili foli në emër të shefit të tij në një konferencë për media të mbajtur para pak minutash.

Ai tha se kryeministri Kurti nuk është pajtuar për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme duke e konsideruar si veprim të ngutshëm.