LDK me qëndrim të ri për taksën

0
255

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka listuar shtatë problemet që sipas tij po e mbajnë në krizë Qeverinë e udhëhequr nga Haradinaj.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se taksa, dialogut, dorëheqjet e kryetarëve serbë të komunave, greva në arsim, KQZ-ja, dhe pazaret me buxhetin e shtetit, sipas tij janë problemet kryesore të institucioneve kosovare.

Madje siç është shprehur Hoti, taksa ndaj produkteve serbe po i mbulon dështimet e Qeverisë.

Ky është postimi i plotë i Hotit në Facebook:

SHTETI NE KRIZE

Taksa:
Serbia meriton taksë shumë më të lartë se kjo që është vendosur. Por, për Qeverinë Haradinaj, taksa 100% është bërë strehimore për tu ikur problemeve. Taksa po i mbulon dështimet e kësaj qeverie: edhe grevën e arsimtarëve, edhe revokimet e njohjeve, edhe përçarjet rreth dialogut, edhe krizën e qeverisjes lokale në komunat në veri, edhe falimentimin e Telekomin, edhe rënien e investimeve të jashtme, edhe mos aprovimin e buxhetit për vitin 2019. Taksa është bërë çelës për t’i mbuluar problemet, por nuk po i zgjidh. Sa më shumë që po përkeqësohet situata në Kosovë, duke u paralizuar institucionet një nga një, aq më shumë Qeveria po insistion në taksën 100%. Përveç taksës 100%, asgjë tjetër nuk mund të ofrojë koalicioni PAN për përmirësimin e gjendjes në Kosovë.

Dialogu
Dialogu me Serbinë kurrë nuk ka pasur më shumë paqartësi. Vetëm një gjë është e sigurtë, angazhimi i Presidentit për shkëmbim të territoreve. Sa më shpesh që Ekipi Negociator po shkon në Bruksel, më i paqartë po bëhet në Prishtinë. Ekipi Negociator tash i ka hequr tabutë për temat që do të dialogohen në Bruksel.

Dorëheqjet e kryetarëve të komunave në veri
Qeveria me mos veprim ka krijuar rrethana në veri të vendit, të cilat i dëshirojnë kundërshtarët e shtetit të Kosovës që po angazhohen për copëtim të Kosovës. Duke mos u marrë në mënyrë institucionale me situatën në veri, Qeveria po krijon situatë të rrezikshme në aspektin ligjor dhe kushtetues. Sot nuk dihet se kush udhëheq me ato komuna, kush autorizon shpenzimet buxhetore dhe si ofrohen shërbimet komunale kur nuk ka Kryetar të Komunës.

Greva në arsim dhe shëndetësi
Grevat vetëm sa po thellohen. Është e qartë se Qeveria i ka shkaktuar këto greva me vendimin për dyfishim të pagës për vete. Zgjidhja është e qartë: (i) Qeveria të anulojë vendimin për rritje të pagës për vete dhe (ii) ligji i pagave të tërhiqet dhe të rishkruhet nga fillimi në konsultim me të gjitha kategoritë e punësuarve në sektorin publik.

Mos akreditimi i programeve në universitete publike
Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk ka akredituar shumë programe të universiteteve publike. LDK-ja do ta analizojë këtë gjendje, që mund të sjellë destabilizim të studimeve në universitetet publike. Ne do të thërrasim në llogaridhënie Qeverinë për këtë dështim, duke mos i mbështetur universitetet në plotësimin e kërkesave për akreditim.

KQZ
Ende nuk janë emëruar anëtarët e KQZ-së nga Presidenti. Ne vlerësojmë se me qëllim po bllokohet KQZ-ja tash e 10 muaj.Dhjetëra të zgjedhur nëpër kuvende komunale dhe një deputet i Kuvendit të Kosovës presin të certifikohen nga KQZ-ja. Presidenti e ka obligim kushtetues këtë gjë dhe nuk mund t’i ikë. Nuk është në diskrecionin e tij të veprojë mbi baza të pazareve politike. Ai duhet të veprojë vetëm në bazë të Kushtetutës, ndryshe do të përballet me Gjykatën Kushtetuese.

Pazaret me buxhetin e shtetit për të qëndruar në pushtet
Është hera e parë që nis viti pa buxhet të miratuar (përjashto vitin 2011, kur nuk ka pasur Kuvend për shkak të zgjedhjeve të dhjetorit 2010). Ky është një precedent i keq që e ka vendosur Qeveria Haradinaj në dhjetëvjetorin e pavarësisë. Fatkeqësisht, koalicioni PAN po e përdor buxhetin e qytetarëve për pazare politike me PSD-në, vetëm për të qëndruar në pushtet.