Burime të sigurta të Gazeta Blic në kushte anonimiteti kanë thënë se LDK, në rast se AAK del nga koalicioni qeverisës, do ta përdorë një kartë tjetër apo planin B e që është bindja e PDK-së për të hyrë në qeveri me LDK.
Deri tani asgjë nuk ka zyrtare, përveç se zyrtarë të lartë të PDK kanë konfirmuar se ka pasur takime ndërmjet LDK e PDK në mënyrë që kjo e fundit të jetë pjesë e qeverisë. Takimet i ka konfirmuar Xhavit Haliti pa dhënë shumë detaje, përveç se janë mbajtur në Jug të Shqipërisë.
Këto burime kanë thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës për ta bindur PDK-në në mënyrë që kjo e fundit të jetë në qeveri, do të rris numrin e ministrive aktuale.
“Dy minisitri shtesë do t’i ketë kabineti qeveritar në rast se PDK do të jetë pjesë e qeverisë”, ka thënë një burim i lartë në LDK për Gazeta Blic.
Por ky veprim i partisë së Isa Mustafës nuk e ka bindur kruen e PDK-së, Kadri Veseli. Burimet thonë se PDK kakushte të qarta në rast se vendosin të hyjnë në qeveri
“Ministritë siç janë ajo e Drejtësisë, Shëndetësisë, Infrastrukturës dhe pozita e Presidentit të Kosovës, do ta bindnin PDK-së që t`i bashkohet LDK për bashkëqeverisje”, ka thënë një burim tjetër nga Partia Demokratike e Kosovës.
Se posti i presidentit mund ta marrë PDK, është raportuar edhe ditë më parë, madje janë përmendur edhe emrat si ajo e ish- ambasadorës së Kosovës në SHBA Vlora Çitaku, ish- ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi apo edhe sekretari aktual i PDK-së, Uran Ismaili.