Lekaj pas deklaratës së Konjufcës për Asociacionin- Po bëhet për të krijuar ‘mjegull’ tek qytetarët

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk do të ketë Asociacion pa patur njohje nga Serbia.

Në lidhje me deklaratën e Konjufcës ka reaguar deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Lekaj tha se deklaratat e Konjufcës dhe Qeverisë Kurti janë shpërputhje me njëra-tjetrën dhe se kjo po bëhet për të krijuar ‘mjegull’ tek qytetarët në lidhje me Asociacionin.

“Deklaratat e Qeverisë Kurti dhe z.Konjufca janë në shpërputhje me njëra tjetrën.Madje, të gjithë krerët dhe deputetët e pushtetit për të krijuar mjegull e huti tek qytetarët, në mënyrë spektatolare arrijnë të mbajnë qëndrime kundërthënëse lidhur me Draftin e Asociacionit të komunave serbe” deklaroi Lekaj për “Gazeta Blic”.

Lekaj tha se Qeveria duhet ta kuptojë se nuk duhet të shkelë mbi gjakun e dëshmorëve dhe sakrificat e popullit për liri.

“Një gjë duhet ta kuptojë Qeveria e Kosovës, nuk duhet të shkelet mbi gjakun e dëshmorëve, sakrificat e mëdha të popullit, lirinë dhe shtetësinë e vendit” shtoi ai.

Ai tutje shtoi se AAK-ja si subjekt politik e përkrah marrëveshjen mes dy vendeve por jo ku cënohet sovraniteti i Kosovës.

“Arritja e marrëveshjes finale Kosovë – Serbi është më se e nevojshme, sepse ka ardhur koha që të marrin fund barrierat ndaj kosovarëve për të lëvizur në BE dhe botën perëndimore.Ne si AAK e përkrahim marrëveshjen mes dy vendeve, por në asnjë mënyrë ku cënohet sovraniteti dhe integriteti i Kosovës i datës 17 shkurt 2008” deklaroi deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.