Lëshohet në qarkullim tuneli i rinovuar në Mitrovicë

Është përuruar sot në Mitrovicë tuneli i rinovuar në hyrje të këtij qyteti i gjatë 250 metra dhe me kosto rreth 380 mijë euro, ndërsa për të përfunduar punimet në rinovimin e tij për shkak të dëmtimeve që ishin bërë, u deshën gati gjashtë muaj.

Zëvendësministri i Infrastrukturës Rexhep Kadriu, u shpreh i lumtur për shkak se siç tha ai, pas zvarritjeve të punëve për një kohë, sot ky tunel po lëshohet në qarkullim.

Sipas tij, është bërë një punë e cila vërtetë ka qenë e domosdoshme për qytetin e Mitrovicës dhe qytetarët e saj.

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë të ditur se qyteti ka qenë i stërngarkuar gjatë kohës derisa janë zhvilluar punimet në këtë tunel. Ai potencoi se është mirë që tuneli ka përfunduar pikërisht në kohën kur pritet ardhja e mërgimtarëve nga diaspora.

Duke falënderuar ministrinë e Infrastrukturës dhe ministrin Lekaj, ai ka arsyetuar edhe vonesën e punimeve, duke thënë se ka qenë e pamundur të realizohen shumë punë për një kohë kaq të shkurtër.

Ndryshe, ky tunel konsiderohet si një nga arteriet kryesore të qytetit të Mitrovicës, pasi mundëson hyrje-daljet në drejtim të kryeqytetit dhe disa vendeve tjera, si dhe lidh rrugën nacionale N-2, përkatësisht segmentin Mitrovicë-Qabër, në drejtim të kufirit të Bërnjakut.