Liberalizimi i vizave/100% rritje e kërkesave në kompanitë e udhëtimeve, thonë se s’ka rritje të çmimeve – tregojnë kushtet

Nga 1 janari i këtij viti, kosovarëve u është mundësuar të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

Fluks të madh të qytetarëve ka pasur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” në ditën e parë pa viza.

Me 1 janar të 2024-tës ka pasur 33 arritje në Kosovë e nisje 32. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e ANP-së, Valentina Gara.

Kurtishaj pas liberalizimit të vizave: Janë bërë mbi 1 mijë rezervime të biletave për në Zvicër

Përveç transportit ajror kosovarët kanë zgjedhur edhe transportin rrugor përmes autobusëve.

Mbi 1 mijë bileta janë rezervuar për këtë javë për në Zvicër, thotë pronari i “Sharr Travel”.

Ruzhdi Kurtishaj tha për Front Online se gurbetqarët që kanë ardhur për fundvit po i marrin familjarët për vizita.

Ai thotë se janë rritur kërkesat drastikisht, krahasuar me janarin 2023.

“Krahasuar me vitin e kaluar në të njëjtën periudhë kohore kërkesat janë në rritje 100% por shumë nga gurbetqarët që kanë ardhë për të festuar vitin e ri tash po kthehen bashkë më familjarë që i marrin me vete për vizita të ndryshme. Brenda kësaj jave udhëtojnë 1000 udhëtarë me kompaninë tonë”, ka deklaruar Kurtishaj.

Kurtishaj thotë se pas kërkesave të shumta s’do të ketë ngritje të çmimeve të biletave.

“Nuk do të ketë ngritje të çmimeve në asnjë mënyrë do ta kultivojmë besimin e qytetarëve edhe në të ardhme”.

Pronari i “Sharr Travel” ka treguar se çfarë ju duhet qytetarëve të kenë më vete për të udhëtuar me autobusë.

“Shumë e rëndësishme që qytetarët të kenë pasaportë biometrike është obligative të kenë bileta kthyese dhe një adresë se ku ata shkojnë ose një rezervim të hotelit dhe duhet të kenë 50 euro për një ditë që i shpenzon ose kartela të ndryshme për të dëshmuar që nuk shkojnë për qëllime të tjera pasi nuk kanë të drejtë të punojnë”, tregoi Kurtishaj për Front Online.

Kompania e fluturimeve: Kemi rritje të madhe të rezervimeve krahasuar me janarin e vitit të kaluar

Edhe nga agjensioni “Fibula Travel” thonë se rezervimet e qytetarëve janë shtuar dukshëm për vizitat jashtë Kosovës.

Çmimet e biletave nuk kanë diferencë nga viti 2023, thonë nga ky agjension.

“Numri i kërkesave e rezervime është shumë i lartë, krahasuar me janarin e vitit të kaluar ka shtimë të madh të fluturimeve të reja dhe rritje të rezervimeve. Nuk ka shumë diferencë prej viteve të kaluara nga çmimet”, thanë për Front Online nga ky agjension. Agjensioni ka treguar se me çka duhet të pajisën qytetarët për të udhëtuar lirshëm.

“Bileta kthyese, nëse shkojnë tek familjarët i duhet adresa e saktë e familjarit, sigurimi shëndetësor dhe nëse shkon tek familjari prej 20-30 euro është dita ose në llogari ose kesh ndërsa në hotel nga 50-100 euro dita”, treguan nga agjensioni.

Afër 50 autobusë janë nisur me qytetarë jashtë vendit nga stacioni në Prishtinë

Ndryshe nga agjensionet, është deklaruar ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Stacionit të Autobusëve Agron Sejdiu.

Ai për Front Online thotë se interesimi i qytetarëve për të udhëtuar është rritur, por jo shumë.

“Interesimi është rritë po nuk ka shumë dallim me vitin e kaluar se ende janë duke u kthyer ata që kanë ardhur për festat e fund vitit në Kosovë”, deklaroi Sejdiu. Afër 50 autobusë janë nisur me qytetarë për jashtë vendit nga stacioni në Prishtinë, thotë Sejdiu.

“Linjat e autobusëve janë lajmëruar më shumë kjo po vërehet. Në javën e parë të janarit gjithmonë ka pas më shumë interesim. Vetëm të martën janë nisur diku afër 50 autobusëve shifrat e sakta nuk i kemi deri në fundjavë. Nisjet për Austri e Gjermani janë më të shpeshtat”, ka deklaruar ai.

Më 18 prill të këtij Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Qytetarët të cilët posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës, do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen. Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini dhe Islanda.