Liberalizimi i vizave/ Afër 100 mijë qytetarë aplikuan për t’u pajisur me pasaportë nga 1 Janari

Nga 1 Janari i këtij viti, kosovarët gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër vendet e zonës Schengen, të përbërë prej 27 vendesh evropiane.

Udhëtimet pa viza do të shërbejnë kryesisht për vizita turistike apo familjare dhe jo për qëllime punësimi, shkruan Front Online.

E, nga kjo datë jo vetëm aeroporti “Adem Jashari” dhe stacionet e autobusëve janë mbushur plot me qytetarë.

Me fluks të mash të qytetarëve po përballen edhe disa sportele nëpër komunat e vendit, përkatësisht Qendrat e Regjistrimit Civil.

Kjo pasi që aplikimet për t’u pajisur me pasaportë janë shtuar mjaftë shumë.

Mbi 52 mijë aplikime më shumë për pasaporta në Janar të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar

Numri i qytetarëve që kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaportë nga 1 Janari e deri më 12 Shkurt të këtij viti ka arritur rreth 100 mijë.

Këto të dhëna janë bërë të ditura për Front Online nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Aplikime për pasaporta prej 01.01.2024 deri më 12.02.2024 janë 96077”, ka treguar për Front Online zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi.

Por, vetëm pak më shumë se gjysma e tyre kanë marrë pasaportën.

“Për periudhën 01.01.2024 deri më 12.02.2024 janë pajisë me pasaportë gjithsej 52674 qytetarë”, ka thënë më tutje Fetoshi.

Ndërsa, nëse krahasohen shifrat e aplikimeve me janarin e vitit të kaluar atëherë dallimi është shumë i madh.

Janë mbi 52 mijë aplikime më shumë në janarin e vitit 2024 nëse krahasohet me janarin e vitit 2023.

“Gjatë muajit janar 2023 kanë qenë gjithsej 18427 aplikime për pasaporta, kurse gjatë muajit janar 2024 kanë qenë gjithsej 71096 aplikime për pasaporta”, është shprehur Fetoshi.