Liderët nga Ballkani Perëndimor mblidhen nesër në New York

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, të martën do të takohet me liderët e Ballkanit Perëndimor në një takim tradicional në margjinat e sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Borrelli është planifikuar të marrë pjesë në disa ngjarje shumëpalëshe të nivelit të lartë në New York, si dhe në takime dypalëshe.

Krydiplomati evropian dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, pritet ta përfaqësojnë Bashkimin Evropian në një takim trepalësh me Bashkimin Afrikan dhe më pas do të takohen me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Përndryshe, Kosova përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, e cila ka mbërritur dje në New York.