Ligji për Përmbarimin, dekreti i Metës rrëzohet me 85 vota

Me 85 vota mazhoranca ka rrëzuar dekretin e presidentit për rishikimin e ligjit për përmbarimin, por pa arritur numrin e duhur për ngritjen e Komisionit Hetimor. Në seancë, opozita e re ka kërkuar ndryshime në komisionin e reformës zgjedhore, por e ka konsideruar lojë nismën për shkarkimin e Ilir Metës.

Katër ditë pas votimeve të 30 Qershorit, me 85 vota Parlamenti rrëzoi dekretin e parë të Presidentit Ilir Meta për rishikimin e projektligjit të shërbimit përmbarimor gjyqësor privat.

Megjithatë mazhoranca nuk e kaloi testin e kartonave për votat që kërkohen për shkarkimin e Kreut të Shtetit, veprim për të cilin Kushtetuta përcakton 94 kartonë.

Në seancë, opozita e re kërkon largimin e Damian Gjiknurit nga posti i bashkëkryetarit të reformës zgjedhore, pas përfshirjes së tij në përgjimet e dosjes “184” në Dibër.

Gjithashtu, Ralf Gjoni, bëri fajtor Lulzim Bashën për pushtetin që ka marrë Edi Rama pas votimeve vendore.

Damian Gjiknuri është i gatshëm të largohet, jo për opozitën e re, por nëse një gjë të tillë ja kërkon PD me kushtin për të qenë pjesë e komisionit të reformës zgjedhore.

Reforma në drejtësi është kthyer në kalin e Trojës së politikës, me akuza dhe kundër-akuza në parlament.

Opozita e re mendon që PS-së dhe PD-së nuk ju intereson ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, ndërsa mazhoranca paralajmëron kundërpërgjigje për të gjithë kundërshtarët.

Të hënën pasdite mazhoranca do të kërkojë ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta me akuzën për shkelje të rëndë kushtetuese pas anulimit të datës së zgjedhjeve të 30 Qershorit./dita