Limaj: Nuk më ka befasuar Kurti, e ka bërë Serbinë hisedare në shtetin e Kosovës

Kryetari i Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj ka drejtuar akuza të rënda ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ai tha se me Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit, Kurti e ka legalizuar Serbinë si hisedare në shtetin e Kosovës.

“Nuk më ka befasuar. Në momentin kur e ka pranuar Marrëveshjen e Ohrit dhe të Brukselit, përfundimisht nuk ka pasur më tjetër çka të pranoj. Ajo ka qenë punë e kryer në Bruksel dhe në Ohër”, ka theksuar Limaj kur është pyetur se a u befasua që Kurti e ka pranuar draft statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Limaj tha se ka shpresuar që Kurti nuk do ta pranoj Asociacionin pa njohje nga Serbia.

“Para Brukselit kam shpresuar në atë marrëveshjen e planit franko- gjerman, kam shpresuar që z. Kurti e ka një moment historik që në Bruksel t’i përmbahet qëndrimit që e ka pas ndërtuar Kosova për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje brenda, apo njohjen në qendër. Këtë e kam pritur të paktën në Bruksel.

“Deklarimi i Kurtit pas Brukselit dhe pranimi i Marrëveshjes së Brukselit, aty cdo gjë ka përfunduar. Aty është pranuar Zajdenica dhe në Ohër është bërë plani i veprimit”, tha ai për Gazeta Blic.

Ai ka shtuar se Pika 7 e Marrëveshjes së Brukselit ka kaluar edhe përtej 2013-ës e 2015-ës dhe tani kemi me pa strukturën ndërtuese të Asocaiconit.“Unë gjithmonë po flas për marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit dhe e them se pika e 7 është skandaloze dhe keni me e pa kur të ndërtohet statute i Asociacionit. Në pikën e 7-të e keni strukutrën organizative të Asociacionit dhe nga ajo zbërthehet dhe del statute. Statuti do të jetë derivat i pikës 7 të Marrëveshjes. Në pikën e 7 e keni strukturën e Asociacionit, nga Presidenti, Qeveria apo Bordi i Asociacionit. Për mua, Asociacioni është kryer në Bruksel dhe në Ohër”, thotë Limaj.

Sipas tij, Kurti ka hequr dorë nga njohja formale.“Kurti ka hequr dorë nga kompromiset e dyanshme. Kurti ka përmbysur përpjekjet që janë bërë pas 2017-ës. Ka dalë në pikën zero. Kurti ka bërë lëshim, në këtë rast ndërtimin e një Zajednice, duke mos përfituar asgjë Kosova”, tha ai.

Faktisht, shton ai, me Asociacion I bie që e kemi legalizuar atë që e ka pasur pretendim Serbia.“Serbia, tashmë praktikisht, formalisht është hisedar në shtetin e Kosovës”, vlerëson Limaj.

“Asociacioni është ndërtuar, Marrëveshja është pranuar dhe bashkëbiseduar me Serbinë. Kur të publikohet statuti, atëherë shohim se Serbia është bashkautorë e Asociacionit, bashkëfinancuese e Asociacionit. Institucionet e Serbisë do të jenë funksionale dhe do të pranohen legalisht të veprojnë në Kosovë”.