Limaj për largimin e Haxhi Shalës nga NISMA: Kërkoi të bëhet ministër, e kushtëzoi votën e tij me pozitë

Kryetari i NISMA’s Socialdemokrate, Fatmir Limaj e ka komentuar largimin e deputetit Haxhi Shala dhe kalimin e tij në AAK.

Limaj ka thënë sonte në T7 se deputeti Shala me të cilin ka edhe lidhje familjare ka kërkuar që të bëhet ministër dhe kur partia nuk ja ka dhënë këtë mundësi ai është larguar për në AAK.

“Shefin e grupit parlamentar nuk duhet me lutë për me votu. Unë nuk i lus njerëzit. z.Shala e ka pas një kërkesë për mu ba ministër. Vendimet tona të partisë kanë qenë që deputët të mos jenë pjesë e qeverisë. Nepotizëm ja kam me Haxhinë ja me kënd. Unë e Haxhia jemi dajë e nip. Secili e ka të ndërtuar personalitetin e vet. Vota e deputetit merret nga qytetarët jo nga unë e ti”, tha ai.

Ai ka shfaqur hatërmbetje edhe me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Limaj është shprehur se nuk do të ja rrezikonte Grupin Parlamentar një partneri të tij.

“Shiqo kur një partner timit kish pas rrezik me ju prish grupi unë nuk ish sjellë kështu. Kurrë unë nuk ia kisha ba partnerit tem. Nuk kam folë me Haradinajn/ Është vendim i tyre. Unë ndihna mirë që NISMA ka dhënë një kontribut krucial që Haradinaj të jetë kryeministër”, tha ai.