Limaj për Qeverinë Kurti: A po e shihni që s’bën me u provu shteti

Kreu i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, ka folur për periudhën e Qeverisë Kurti deri më tani duke e përsëritur frazën e tij të famshme që shteti nuk bën të provohet.

“A po e shihni që s’bën me u provu shteti” ka thënë Limaj duke iu referuar sipas tij dështimit të kësaj qeverie.

Limaj beson që Vetëvendosje ka konsumuar mjaft kohë për tu dëshmuar nëse është e aftë të krijoj politika reformuese në Kosovë, mirëpo sipas tij LVV-ja nuk ka dhënë rezultate për një vit qeverisës.

“E kemi provuar e kemi testuar dhe po shihni çka po ndodhë. Unë besoj dhe kam besuar në vazhdimësi që qeverisë duhet me i dhanë kohë, sidomos qeverisjes së re për te provuar veten, por tani jemi një vit pas qeverisjes dhe kjo qeveri praktikisht krejt çka ka pas me thanë e me iu tregu qytetarëve të Kosovës e ka pas rastin për një vit me i dhanë sinjalet dhe direksionet se çka janë ndryshe dhe çka do të bënin këta. Nga ky një vit aktualisht jo vetëm që nuk kemi asnjë gjurmë konkrete që do të bënte një diferencë sado të vogël, por përkundrazi kemi stagnim, kemi një ngrirje dhe në shumë sektor ka një prapakthim gjatë këtij një viti”, ka thënë Limaj në Kanal 10.

Sipas ish-ministrit të Infrastrukturës, Kurti ka një ekip të papërvojë që nuk e dinë si funksionon shteti.

“Si duket ekipa atje brenda në qeveri janë ekip i papërvojë dhe janë futur brenda shtetit duke mos e ditur se si funksionon shteti. Është një diferencë e madhe nga ligjërimi në drejtimin e shtetit, është diference e madhe kur ju jeni vazhdimisht vëzhgues nga ajo kur ju jeni drejtues. Ata djem e vajza kur kanë shkuar atje (në qeveri), shto këtu edhe ideologjinë refuzuese të shtetit, pastaj edhe mos përvoja e tyre, dhe që të gjitha bashkë, dhe si duket ata janë përmbytur në punët dhe në vetë mënyrën e drejtimit të shtetit, prandaj e kemi këtë situatë të shtetit. Dhe unë nuk kam besuar që deri në këtë nivel ata nuk kanë program”, ka thënë Limaj.