Limaj: Pushteti me rezolutën për territorin inkurajoi mbështetësit e ndryshimit të kufijve

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka folur për miratimin e një rezolute në Kuvend nga ana e opozitës, e cila autorizon qeverinë të udhëheq dialogun me Serbinë.

Limaj, ka thënë se miratimi më vetëm 58 vota i kësaj rezolute, tregon se vet partitë në pushtet kanë dallime se si e shohin këtë temë.

Madje ai thotë se me këtë votim ata kanë inkurajuar të gjithë ata të cilët mbështesin idenë e ndryshimit të kufijve.

Postimi i plotë i Limajt:

Tallja e radhës e kësaj qeverie

Se sa e papërgjegjshme është kjo qeveri, tregon më së miri nxjerrja e një rezolute në mbrojtje të territorit, të cilën nuk e votuan as vetë.

Kjo rezolutë u votua mbrëmë më 58 vota “për” dhe pesë “abstenime”.

Rezoluta të tilla që nuk marrin të paktën shumicën minimale në Kuvend (61 vota), japin mesazh të qartë politik se përmbajtja e tyre refuzohet dhe nuk merr mbështetjen e shumicës së deputetëve.

Në fund fare, ky është qëllimi i rezolutave për të rekomanduar objektiva apo përkushtime të Kuvendit, si mesazhe për opinionin e interesuar për temat e trajtuara në rezolutë.

Ndërsa, mbrëmë mazhoranca ka dhënë mesazh se kanë dallime mes vete rreth kësaj teme dhe inkurajuan të gjithë ata të cilët janë për ndryshim kufijsh.