Lista Serbe e quan “rrëmbim” arrestimin e të dyshuarit serb për sulm ndaj KFOR-it

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka reaguar pasi Policia e Kosovës të premten ka arrestuar të dyshuarin Nenad Orloviq, si i dyshuar për përfshirje në dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj.

Lista Serbe nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook, e ka cilësuar arrestimin e të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it si “rrëmbim” të “një tjetër serbi të nderuar”.

Po ashtu, partia ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se “arrestimet e pabaza” po shfrytëzohen si një mënyrë për të dëbuar serbët nga Kosova dhe për të krijuar frikë në bashkësinë ndërkombëtare.

“Arrestimet e pabaza dhe arbitrare po përdoren si metodë e dëbimit të të gjithë serbëve nga Kosova, para syve të gjithë bashkësisë ndërkombëtare që me heshtje i dha hapësirë Kurtit të merret me serbët. Nenadi i cili është familjar, baba i katër fëmijëve ka punuar me kohë të pjesshme në një lavazh për të qëndruar në Kosovën e tij dhe për të mbajtur fëmijët e tij. Arrestimi i tij vazhdon planin e Kurtit me të cilin gjysma e serbëve duhet të dëbohen dhe gjysma të arrestohen”, thueht në reagimin e Lisës Serbe.

Listës Serbe u ka bërë thirrje forcave të EULEX-it dhe KFOR-it të vijnë në Kosovë sa më shpejt të jetë e mundur për të garantuar paqen dhe sigurinë për të gjithë qytetarët, sipas tyre, duke parandaluar Kurtin të shkaktojë kaos dhe tensione në rajon.

Ata kanë theksuar se është detyrë dhe obligim i forcat ndërkombëtare të mbrojnë qytetarët, pa dallim kombësie, nga dhuna institucionale e ushtruar nga kryeministri i Kosovës.

“Duke pasur parasysh synimin për të frikësuar serbët në Kosovë, veçanërisht në veri, kërkojmë që EULEX-i dhe KFOR-i të vendosin forcat e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të garantojnë paqen dhe sigurinë për të gjithë qytetarët dhe në këtë mënyrë të parandalojnë Kurtin të shkaktojë kaos dhe kaos dhe duke e çuar të gjithë Ballkanin në konflikte. Është detyrë dhe obligim i tyre që të mbrojnë qytetarët pa dallim kombësie sepse dhuna institucionale e ushtruar nga Kurti është e padurueshme”, thuhet tutje në reagim.

Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari serb, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor mbi dyshimet se “është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj”.

Atë ditë, të lënduar kishin mbetur rreth 30 ushtarë të KFOR-it gjatë tentimeve për t’i shpërndarë protestuesit e grumbulluar pranë objektit komunal në Zveçan.

Ndërsa, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.

Një ditë pas kësaj, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit, një veprim që Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si rrëmbim. Ndaj tyre, autoritetet serbe kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Për ta qetësuar situatën në veri, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ftoi në takim më 22 qershor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata u tha se janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.