Lista Serbe paralajmëron për nesër protestë masive në veri të Kosovës

Kryetari i Listës Serbe Goran Rakiç, me rastin e aksionit të njësive speciale në veri të Kosovës, paralajmëroi një protestë të madhe në sheshin qendror të pjesës veriore të Mitrovicës, nesër në mëngjes.

Rakiç tha se njësitë speciale, në momentin kur përfaqësuesit e ligjshëm të serbëve, përfaqësuesit politikë dhe drejtorët e institucioneve publike ishin në Parlamentin e Serbisë për të diskutuar për Kosovën, sulmuan brutalisht banorët e Zubin Potokut.

“Ata shfrytëzuan momentin kur pas zgjedhjeve lokale kryetarët e komunave nuk kanë marrë ende funksionet e tyre. Sipas deklaratave që vijnë nga Prishtina, ne ende nuk jemi kryetarë komunash, por në shërbim të qytetarëve dhe ne jemi ende qytetarë të zakonshëm”, tha Rakiç.