Lladrovci për dorëheqjen e ministrit Mehaj: Profesionistët si ai, janë dhe mbesin vlerë e kombit

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur keqardhje për dorëheqjen e ministri Mehaj dhe me këtë rast deklaroi se profesionistët si ai, janë dhe mbesin vlerë e kombit.

Lladrovci ka deklaruar se “pasi mori detyrën, Ministri Armend Mehaj lartësoi ushtrinë tonë me pjesëmarrje të ushtarëve e oficerëve në nivele ndërkombëtare, duke e afruar me popullin, me nderime për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, duke mos përjashtuar vlerat e UÇK-së dhe të gjithë kontribuesit e lirisë tonë”.

Postimi i plotë:

Dorëheqja e Ministrit Armend Mehaj, nuk më gëzoi aspak. Ai ishte ministër që la gjurmë në zhvillimin e fuqizimin e Ushtrisë së Kosovës dhe përafrimin e saj me NATO-n. Ai ka dëshmuar lidership me vizion dhe integritet në funksionin madhor në krye të Ushtrisë tonë, të dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Në takimin e parë më ka befasuar me kujtimet e përbashkëta tona familjare të cilat unë nuk i kam ditur, nga ajo ditë, respekti im për Ministrin Mehaj, ka qenë maksimal. Një ushtarak i rritur në Norvegji e të ketë dije e njohuri për detaje të tilla, më lanë kujtime të paharruara me respekt.

Pasi mori detyrën, Ministri Armend Mehaj lartësoi ushtrinë tonë me pjesëmarrje të ushtarëve e oficerëve në nivele ndërkombëtare, duke e afruar me popullin, me nderime për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, duke mos përjashtuar vlerat e UÇK-së dhe të gjithë kontribuesit e lirisë tonë. Kjo ishte vlerë shtesë e punës së tij si Ministër.

Si njohës i vlerave të NATO-s, Ministri Mehaj, ushtrinë e Kosovës e fuqizoi partneritetin dhe besueshmërinë me aleatët, me potenciale të reja, vizion të arritshëm, krah vendeve aleate. Sot, ndjej keqardhje për dorëheqjen e tij, por, jam i bindur se profesionistët si ai, janë dhe mbesin vlerë e kombit.

Shpreh falënderim të thellë për punën që ka bërë për Ushtrinë e Kosovës Ministri Mehaj. I uroj suksese në punë e në jetë!