Lladrovci shkarkon nga detyra drejtorin e Infrastrukturës

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka marrë vendim që të lirojë nga detyra, drejtorin e Infrastrukturës në këtë komunë, z.Idriz Hysenaj.

Lladrovci, këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.

“Pas vendimit të sotëm të Gjyqit ndaj z. Idriz Hysenaj, e lirova nga detyra e Drejtorit të Infrastrukturës publike në komunë. Kam besim te institucionet përgjegjëse se do të marrin vendim duke rikonfirmuar përkushtimin e tij korrekt dhe në pajtim me ligjin, ashtu siç e kemi njohur’, ka shkruar Lladrovci.

Dy ditë më parë, Policia e Kosovës me njësitë relevante për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit në rajonin e Prishtinës, me autorizim edhe të Prokurorisë kompetente, ka arrestuar Drejtorin e Drejtorisë së Infrastrukturës në Komunën e Drenasit, Idriz Hysenaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare./Fokusi.info/