Lufta në Ukrainë, Shqipëria: 200 trupa ushtarak gati për t’u alokuar me kërkesë të NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, u shpreh sot se Shqipëria ka rreth 200 trupa ushtarake në pozicione të ndryshme, në gatishmëri për t’u alokuar sipas kërkesave të NATO-s, në rast të një nevoje nga përshkallëzimi i luftës në Ukrainë.

Në një intervistë për Klan News, ministri Peleshi tha se Shqipëria ka prej kohësh një trupë prej 20 ushtarësh në Letoni, ndërsa kohët e fundit ka zhvendosur edhe 30 forca speciale në Kosovë, për të kontribuuar në rritjen e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Po ashtu, një grup prej 100 trupash ushtarake është gati të alokohet në kufijtë lindore të NATO-s.

Peleshi u shpreh se Rusia ka kryer një agresion të pashembullt në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore, por është shumë larg të mendohet se kufijtë e NATO-s mund të preken.

Si pjesë e NATO-s, ministri Peleshi theksoi se Shqipëria është e sigurt.

Megjithatë, ai sqaroi se për shkak të agresionit rus, NATO po e shton sigurinë e saj në kufijtë e saj lindorë.