Lushtaku thotë se RTK-ja s’po i jep hapësirë gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së, menaxhmenti e mohon

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka vazhduar shqyrtimin e Raportit vjetor Financiar të Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2022.

Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, ka lavdëruar udhëheqësit e RTK-së për dënimi që i kanë dhënë drejtorit serb të RTK2, televizion ky që ka përdorur terme kundër-Kushtetuese në lidhje me sulmin terrorist në veri të vendit.

Ai më këtë rast pati edhe kritika në lidhje me transmetuesin publik, ku sipas tij, ky televizion nuk është duke i dhënë mjaftueshëm hapësirë gjykimit të krerëve të UÇK-së në Hagë, por hapësirë më të madhe në lajmet sipas Lushtakut është duke marr Qeveria e Presidenca.

“Keni dhënë një dënim drejtorit të RTK2, ku me këtë rast është ruajtur kushtetutshmëria e Kosovës. Kemi parë edhe disa gjetje që nuk janë të mira dhe kërkesat e sindikatave për shkeljet që po bëhen nga menaxhmenti dhe bordi”, tha ai.

Besnik Boletini, kryetar i Bordit të RTK tha se si televizion nuk i japin përkrahje Qeverisë e Presidencës, por i mbulojnë ngjarjet që organizohen nga ta, sipas tij, deri me tani nuk është evidentuar një gjë e tillë.

“Nuk kisha dashtë me diskutuar përkrahjen e Qeverisë dhe Presidencës, ne e kemi obligimi me i përcjell, por nuk besoj që nuk ka pasur një përkrahje të tillë, nuk kemi evidentuar diçka të tillë mund të ketë prani por jo përkrahje”, tha ai.

Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj, tha se si televizion i japin hapësirë të mjaftueshme gjykimit të luftëtarëve të UÇK-së të cilët janë duke u gjykuar në Hagë.

“Vitin e kaluar kanë qenë 17 gjetje këtë vit kemi 6 gjetje të reja. Po flasim për një ndryshim prej 11 gjetje që është një progres për RTK-në. Është neni 6 në bazë të cilit ne e kemi lidhur këtë kontratë. Sa i përket promovo në ju japim hapësirë të mjaftueshme krerëve e luftëtarëve të UÇK-së”, tha ai.

Kryetari i këtij Komisioni Armend Muja ka pyetur udhëheqësit e RTK-së në lidhje me uljen drastike të të hyrave nga kategoria e marketingut.

Ai tha se numri i punëtorëve të RTK-së është mbi 700, dhe se ky numër ka rënë për dallim nga vitet e kaluar që ka qenë mbi një mijë punëtor, por sipas tij, me këtë rast punëtorëve aktual i’u janë rritur pagat.

“Sa i përket të hyrave, një kategori marketingut të RTK-së janë në këtë mënyrë, viti i fundit ka pasur një rënie drastike të të hyrave të marketingut. Keni shkarkuar drejtorin e marketingut dhe kjo nuk ka ndryshuar. Çka ka ndodhur. I keni raportuar 776 punëtorë në vitin 2022 jeni nga organizata më të mëdha me punëtore, në vit janë 8.1 milionë euro shpenzime në paga. Rroga mesatar në RTK është rritur”, pyeti ai.

Drejtori Shkumbin Ahmetxhekaj, tha se numri i të hyrave nga marketingu ka rënë për shkak të konkurrencës së numrit të madh të televizioneve dhe portaleve.

Sa i përket rritjes së pagave ai tha se nuk janë, por shujtat që i’u janë dhënë me herët tash llogaritën në pagë.

“Mendoj që të dhënat që po i referoni kanë të bëjnë me ndarjen kesh dhe kompensim. Nëse i shikoni me detaje më shumë ka pasur me kompensim se sa me kesh. Kjo ka qenë arsyeja pse kemi të hyra të ulura. Nuk ka pasur rritje të pagave vitin e kaluar. Qysh nga viti i kaluar kemi filluar që shujtën për secilin punëtor ta llogarisim në pagë… nuk po flasim për rritje të pagave”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka kërkuar nga udhëheqësit e RTK-së që prej një afati prej 10 ditësh të dërgojnë me shkrim planin se si do të bëhen reformat që kanë nisur dhe cilat janë pritjet.

“Kërkoj përgjigje me shkrim cilat janë aktet mbi të cilat po punoni dhe keni nisur reformat, sa janë duke u respektuar ligjet. A keni pasur një studim, fizibilitet. A keni strategji, cilat janë pritjet a keni dokument se kur është hartuar cila është analiza dhe cilat janë pritjeje që mund ti shohim në janar dhe kush janë ekipet që po e udhëheqin këtë reformë. Ka po sigurohen mjetet. Kjo ma duhet e shkruar. Në afat optimal prej 10 ditës duhet ti kemi këto, që ti dërgojmë pastaj në Kuvend. Ka pasur një sulm kiberentik në radio, a janë kthyer të dhënat. A janë vjedhur ato dhe si kanë përfunduar ato”, pyeti ai.

Drejtori Ahmetxhekaj, tha se RTK-ja ka një raport që është bërë nga 14 persona që thuhet që duhet ndryshime në RTK, por që sipas tij, nuk duhet të bëhet publik në këtë moment, raporton EO.

“Ne kemi një raport që ka konstatuar që RTK-ja të ketë rikonsturim, këtë raport e kemi të klasifikuar sepse është raport i brendshme, mund të jua dërgojmë juve, por që nuk duhet që të dal në publikë. Arsyeje e përmend është që në nuk dëshirojmë që ai të del në publikë në kohën kur ne jemi duke bërë diskutime në momentin qe diskutohen do të dalin të gjitha. Nëse ndodh tani do të dëmtoheni”, tha ai.