Luzha: Asociacioni është i padiskutueshëm

Besa Luzha nga Friedrich Ebert Stiftung, tha se formimi i Asociacionit është i padiskutueshëm, pasi bëhet fjalë për një marrëveshje ndërkombëtare.

“Një gjë që sipas mendimit tim shumë njerëz nuk po arrijnë ta kuptojnë qoftë në analiza, qoftë në debate të ndryshme është që çështja e Asociacionit është e padiskutueshme, si një marrëveshje ndërkombëtare që është arritur, që është votuar në parlament dhe si një vendim të cilin e ka marrë Gjykata Kushtetuese” tha Luzha në Rubikon të Klan Kosovës.

Luzha shtoi se Asociacioni megjithatë duhet të formohet ashtu siç e parasheh Gjykata Kushtetuese, e që versioni që pranohet nga kjo gjykatë mund të mos u pëlqej as serbëve.

“Puna është që kur po flasim dhe po themi Asociacioni që e bën një Republikë Serbe në Kosovë, po, një i tillë do të ishte i dëmshëm, por vetë fakti që është dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese e ka treguar rrugën se çfarë Asociacioni mund të bëhet, sepse është arritur marrëveshja, atë e bën një krijesë që ndodhë as vetë serbët nuk do ta donë, por si shtet ke obligim ta bësh” tha Luzha.