Maqedonci merr detyrën: Synojmë forcimin e ushtrisë e anëtarësimin në NATO

Ministri i ri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ka pranuar detyrën nga ish-ministri Armend Mehaj. Në një postim në Facebook Maqedonci e ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti për besimin dhe mbështetjen.

Ai ka thënë se është i nderuar dhe i privilegjuar që është vënë “në krye të dikasterit qeveritar që i bën politikat e mbrojtjes dhe të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, trashëgimtares së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Që nga 18 marsi i vitit 1998 kur e kam veshur uniformën e UÇK-së dhe deri më 10 korrik 2023 kur jam demobilizuar nga FSK-ja, jam përpjekur me tërë kapacitetet dhe qenien time fillimisht për lirinë e Kosovës dhe deri sot për ndërtimin e ushtrisë së saj. Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës jam në shtëpinë time, andaj ishte aq i natyrshëm pranim dorëzimi i detyrës sot në mesditë nga ish-ministri Armend Mehaj në prani të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharit”, ka shkruar Maqedonci.

Ai ka thënë se synimet e Ministrisë vazhdojnë të mbesin të njëjta e që sipas tij janë, forcimi i ushtrisë dhe anëtarësimi në NATO.

“Pas 25 vjetësh me uniformë, nga sot ka nisur një kapitull i ri për mua si ushtarak, por që mbetet brenda të njëjtës shtëpi dhe me të njëjtat synime: forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimin e shtetit tonë në NATO, krah partnerëve tanë dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai.

Mehaj të martën ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Mbrojtjes. Ai në një shkrim në Facebook ka thënë se këtë po e bën për arsye familjare.