Maqedonci tregon kur mund të dërgohet në pjesën veriore FSK-ja

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka dhënë detaje për takimin e Gurpit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili po zhvillohet në selinë e NATO-s në Bruksel, ku bashkë me Maqedoncin po merr pjesë edhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant, Bashkim Jashari.

Maqedonci tregoi se në takimin e sotëm ka marrë pjesë edhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të cilin tha se ka kërkuar mbështetje të vazhdueshme.

Pjesëmarrja në këtë takim, sipas Maqedoncit, ka rëndësi të veçantë pasi që ”vendi ynë vlerësohet si një vend kontribuues jo vetëm për sigurinë dhe paqen në rajon, por edhe më gjerë”.

Tutje ministri Maqedonci theksoi se në çdo takim që po zhvillohet, në fokus është edhe çështja e Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

‘‘Sot edhe nesër do ketë takime të tjera të ministrave të mbrojtjes ku do të diskutohet edhe çështja e Kosovës, sidomos pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës pas aksionit të 24 shtatorit. Kjo tregon seriozitetin që është treguar nga vendet e NATO-s për sulmin që ka ndodhur në veri të vendit. Në takimet që i kemi pasur me ministrat e mbrojtjes të vendeve të gjithë janë të shqetësuar, por edhe të vendosur për të mbështetur vendin tonë”, tha Maqedonci, për RTV21 .

Ministri i Mbrojtjes ndër tjera shtoi se rreziku për kërcënime të reja në veri të vendit ekziston ende, përderisa Serbia përgjatë kufirit me Kosovën mbanë baza operacionale.

”Gjithmonë gjasat ekzistojnë përderisa Republika e Serbisë mbanëpërgjatë kufirit tonë 48 baza operacionale. Gjithmonë prezenca e tyre në kufirin e vendit tonë është një kërcënim i vazhdueshëm kështu që e vlerësoj që ky kërcenim mund të shmanget dhe evitohet rikthimi i tyre në bazat e tyre të përhershme në brendësi të Serbisë”, tha Maqedonci.

I pyetur se kur Forca e Sigurisë së Kosovës mund të jetë në pjesën veriore bashkë me Forcat e KFOR-it, Maqedonci tha se në rastin e pjesës veriore duhet pasur një koordinim paraprak me KFOR-in.

”Ne kemi një zotim që është nënshkruar në vitin 2013, që duhet një koordinimin paraprak me KFOR-in para se të zbarkojmë për të kryer operacione të ndryshme atje”, tha Maqedonci, teksa shtoi se “në rast të rrezikut apo kërcënimit nga jashtë ne jemi të gatshëm të mbështesim KFOR-in”.

Tutje ai tha se kur forcat Serbe u afruan në afërsi të territorit të Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm edhe me zyrtarët në Bruksel por veçanërisht me Komandantin e KFOR-it.

Maqedonci ndër tjera shtoi se Forca e Sigurisë së Kosovës ka një rritje të jashtëzakonshme të furnizimit me armatim.

Policia e Kosovës është pajisur me 7 sisteme të fluturakeve pa pilotë . Ky donacion erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.