Marketet në këtë qytet të Kosovës shesin mallra me afat të skaduar

Pije alkoolike dhe produkte të vajit me afat të skaduar janë konfiskuar gjatë këtyre ditëve të festave në marketet e Ferizajt, inspektoriati komunal apelon te qytetarët që të kenë kujdes në blerjen e produkteve sidomos të atyre produkteve që paraqiten me zbritje.

Përmes një komunikate për media janë informuar qytetarët, se gjatë aksionit të inspektoriatit komunal të Ferizajt janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme e mallrave me afat të skaduar

“Janë festat e fundvitit që kanë shtuar kontrollin e vigjilencën e inspektorëve për të kryer veprimet e nevojshme inspektuese në të gjitha qendrat tregtare dhe bizneset që operojnë në territorin tonë.

Me këtë rast, në një aksion disa ditor, Inspektorati i Komunës ka arritur të identifikoj dhe konfiskoj një sasi të konsiderueshme të produkteve ushqimore, pijeve alkoolike dhe produkteve të vajit me afat të skaduar, që paraqet rrezik të drejtpërdrejt për shëndetin e qytetarëve.

Kordinatori Ridvan Berisha apelon tek qytetarët që të kenë kujdes në blerjen e produkteve të tilla, ku paraprakisht të verifikojnë afatin e përdorimit, meqenëse si rëndom, afatet e afërta të skadimit, paraqiten si zbritje nga qendrat tregtare çka shton rrezikun për shëndetin e qytetarëve nga përdorimi i tyre.

Tutje, koordinatori Berisha tha se mashtrime janë hasur edhe në çmime, për të cilat theksoi vendosmërinë e institucionit që drejton që t’i procedoj sipas ligjit të gjitha këto raste” thuhet në komunikatë.