Mbërrijnë 38 400 dozat e AstraZenecas për mësuesit dhe pedagogët, Rama: Gati të vaksinojmë mjekët e infermierët e Kosovës

Shqipëria ka siguruar dozën e parë të vaksinave të AstraZeneca në kuadër të programit COVAX.

38 400 dozat e vaksinave që mbërritën me avion në aeroportin “Nënë Tereza në Rinas u pritën nga kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Manastirliu.

Kryeministri Rama njoftoi se nga nesër do të nisë vaksinimi i mësuesve dhe pedagogëve në gjithë vendin.

“Nesër do të nisim menjëherë vaksimin e mësuesve dhe të pedagogëve. Do ta shtrijmë me shpejtësi në gjithë territorin e vendit duke i kthyer shkollat në pika vaksinimi në një pjesë të konsiderueshme dhe ndërkohë presimn së shpejti të vijnë një tjetër sasi edhe më e konsiderueshme. Me AstraZenca kemi transhin tjetër rreth 60 mijë doza që do të jenë këtu në muajin prill dhe me Pfizer kemi një 30 mijëshe tjetër që vjen në prill. Ideja është të kemi një vaksinim intensiv për të thyer sa më shumë zinxhirin e infektimeve duke e lehtësuar ndjeshëm sektorin turistik”.

Me ardhjen e këtyre dozave pritet të konkretizohet edhe zotimi i Ramës për të mundësuar vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve të spitaleve Covid në Kosovë.

“Jemi gati nga dita e nesërme të organizohemi sëbashku me Kosovën për tu dhënë mundësi mjekëve dhe infermierrëve të spitaleve Covid duke filluar nga spitali Covid i Prishtinës që të vijnë dhe vaksinohen në Kukës. I presim me shumë kënaqësi vëllazërisht që nesër, do të rilidhemi me strukturat përkatëse atje, Ministrin aktual të  Shëndetësisë për ta bërë këtë të mundur nëse dëshirojnë por nuk mendoj se do të ketë mungesë dëshire pasi do të ishte shumë e rëndësishme që edhe në Kosovë të thyhet kjo pengesë e tmerrshme e mungesës së dozës së parë dhe më tutje shpresoj që edhe Kosova të ketë dozat e saj”.