Mbledhja e KGJK-së, plot vendime për emërime nëpër gjykata

Në mbledhjen e 222-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës janë marrë plot vendime për emërime në krye të disa pozitave të lira nëpër Gjykata.

Ilmi Bajrami është caktuar ushtrues detyre i gjyqtarit mbikëqyrës për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, Valon Kurtaj është caktuar udhëheqës i Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë derisa Vaton Durguti është caktuar udhëheqës i Departamentit Special në Gjykatën e Apelit.

Në ndërkohë, në këtë mbledhje të KGJK-së është marrë vendim që të hapet konkursi për të zgjedhur një mbikëqyrës të Gjykatës Themelore në Ferizaj, dega në Shtërpcë, ndërsa Imri Sejda është caktuar ushtrues detyre për këtë pozitë.

Po ashtu, në këtë mbledhje u bë e ditur se gjyqtari Hysen Gashi është pensionuar, njofton Klan Kosova.

Një vendim tjetër që është marrë në mbledhjen e sotme është hapja e konkursit për gjyqtarë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Anëtarë të komisionit vlerësues për përzgjedhjen e këtyre gjyqtarëve, KGJK vendosi të jenë: Enver Peci, Manushaqe Karaqi, Qerim Fazliu, Nenad Rashiq dhe Isak Kelmendi.

Kryetar i panelit u caktua kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci, ndërsa Makifete Saliuka dhe Nyrtene Sylejmani u vendosën të jenë anëtare rezervë të këtij komisioni.

Gjyqtarëve special të Departamentit Special në Gjykatën Themelore dhe në atë të Apelit do t’u sigurohet nga një veturë në shfrytëzim për 24 orë.

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Makifete Saliuka u zgjodh zëvendëskryesuese e KGJK-së. Votimi u bë me vota të fshehta, nga 10 të pranishëm që votuan, Saliuka fitoi me 9 vota deri sa 1 votë e pati anëtarja e KGJK-së Anita Prenaj.