Mbrojtja e Mustafës paraqet pretendimet e saj lidhur me mosbesueshmërinë e deklaratave të dëshmitarëve të prokurorisë

Pas pauzës së drekës, avokati i Salih Mustafës, Julius Von Bone ka paraqitur pretendimet e tyre lidhur me mosbesueshmërinë e deklaratave të dëshmitarëve të prokurorisë.

Fillimisht, avokati Von Bone ka deklaruar se njëri dëshmitar pavarësisht çka ka deklaruar nuk ka mundur të jetë duke folur për këtë ndërtesë pasi nuk ka mundur të ketë kësi godine. Kjo u tha pasi në ekran u shfaqen fotografi të ndryshme të ndërtesave, ku avokati bënte krahasimin e tyre dhe shpjegimin e të njëjtave.

“Pozita, qëndrimi i mbrojtjes është që dëshmitari 4600 në dëshminë e vet sa i takon të parit të Calit nga pozicioni që përmend dhe më duhet të them që nuk e ka thënë një herë por e ka përmendur dy herë dhe në dëshminë e tij të mëparshme ka bërë edhe një vizatim apo skicë të situatës dhe ajo tregon që ai po shikonte nga e djathta e tij nëse do nisemi nga porta. Ai deklaroi në dëshminë e tij kur fliste, kur foli me prokurorin në atë kohë, me zotin Carney, ai vizatoi një skicë të situatës”, tha avokati e më pas u vazhdua me përmbajtje të redaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pastaj, avokati vazhdoi duke thënë se numri i saktë i kësaj skice të posaçme që ka bërë për të bërë të saktë është dokumenti i shënuar si ERN072909.

Tutje, ai deklaroi se në përgjigje të pyetjes “ a e mbani mend që keni bërë këtë vizatim gjatë intervistës të ZPS me datë 21 janar 2020”, ku përgjigja ishte se e mban mend.

“Pastaj në fund, në cep në të majtë ka një shigjetë, a mund të thoni çfarë është ajo. Përgjigja po”, tha ai, duke shtuar se dëshmitari se janë dy shigjeta njëra nga rruga deri te porta dhe tjetra që të dërgon brenda oborrit.

Kurse, dëshmitari tha se ka thënë se është mundur të shpjegonte se kur vjen në të majtë të rrugës dhe ndalon përpara portës është çfarë përshkruan shigjeta e parë dhe se e dyta tregon pamjen kur shkon brenda.

Ai tha se i pyetur se në këtë vizatim a shpjegohet vendi ku Salih Mustafa i përshëndeste, dëshmitari ka thënë po, kurse tutje tha se kishte treguar se ku është vendi që pretendonte se i ka përshëndetur i akuzuari.

Ndërkaq, tha se kishte thënë se nuk e dinte saktë distancën mes tyre e Calit, por diku rreth 20-30 metra.

“Një lloj ballkoni, dilte nga një dhomë dhe siç e thash ky ballkon bashkonte tre katër dhoma. Ai kishte një dhomë aty, dhoma kishte derë, dhe dilte nga ajo dhomë dhe na përshëndeste”, citoi tutje avokati deklaratën e këtij dëshmitari.

Sipas tij, në përmbledhje, për të qenë të qartë lidhur me këtë dëshmitar dhe për të bërë të ditur qëndrimin e mbrojtjes, nga vendi ku ka qëndruar ai nuk ka qenë e mundur të shikonte Mustafën nëse ai do të kishte qenë aty pasi kishte një strukturë që bllokonte pamjen nga vendi ku qëndronte ai dhe nuk do të kishte qenë e mundur të shihte Mustafën nëse do të ishte ai aty.

Lidhur me një dëshmitar tjetër, avokati tha se ai kishte deklaruar se bëhej fjalë për një ndërtesë me gurë,se kishte dërrasa dhe se kishte kashtë edhe lagështirë.

Sipas avokatit, ai kishte thënë se nuk kishte kafshë por mund të shihej se ishte stallë.

Sa i përket vendit ku gjendej stalla, ai tha se dëshmitari kishte thënë se nuk ishte vend i madh dhe nuk e di vërtetë se sa ishte e se ishte ambient normal, ku kishte kasht në dysheme, kishte lagështi e muret ishin prej guri, por se nuk e dinte sa ishte e madhe, por se ishte si dhomë normale.

Dëshmitari sa i takon përmasave të sallës, ai tha se kishte thënë se nuk e di dhe se sa i kujtohet nuk kishte dritare, por një derë prej druri dhe disa hapësira nga ku mund të shihje nga dërrasat prej druri.

Tutje, avokati tha se përshkrimi i zonës së jashtme që dëshmitari dha ishte shumë i kufizuar dhe pavarësisht kësaj atij ju treguan dy fotografi të asaj që quhet oda në kompleks dhe se nga deklarata e këtij dëshmitari, ai nuk jep asnjë përshkrim dallues të pjesës së jashtme ose pamjes së vendit, ku ka qëndruar i ndaluar e as përshkrim të oborrit.

Sipas tij, përshkrimi i dhënë nuk është përshkrim dallues i një podrumi, por mund të jetë podrum në çdo zonë.

Ai tha se identifikimi përmes dy fotografive të ndërtesës së odës dërgon në konfirmimin e pozicionit të mbrojtjes që dëshmitari nuk ishte në gjendje të bënte një identifikim të mirë dhe besueshëm të ndërtesës ku ishte mbajtur dhe nuk ishte në gjendje të identifikonte pjesën e jashtme të ndërtesës pasi nuk kishte qenë në gjendje ta shikonte kur shkoi atje dhe u transferua në vendin ku ishte rrahur.

Sipas tij, skica nuk mund të ketë asnjë vlerë provuese dhe nuk është e besueshme.

Më pas është kaluar në seancë private. Pas kthimit nga seanca private, avokati tha se njëri dëshmitari asnjëherë nuk e ka përmendur emrin e të akuzuarit dhe se përfundimi është se me dëshminë e tij nuk mund të provohet nga një kapelë e kuqe se është personi që e ka marrë në pyetje.

Për një tjetër dëshmitar, avokati tha se ka thënë që janë mbajtur 17 persona e se nuk është e mundur që ahuri apo podrumi i asaj që quhet oda të zë gjithë këta njerëz.

“Tha që ka gjetur të ashtuquajturën viktimë të vrasjes, 3594, 3593, pavarësisht që tha se mbiemri i këtij personi ishte i ndryshëm nga i 9593 dhe përmendi një person tjetër që nuk është identifikuar asnjëherë. Ndoshta, mund të hyjmë shkurtimisht në seancë private”, tha ai, e më pas seanca nuk ishte publike.

Pas kthimit nga seanca private, avokati Von Bone deklaroi se për viktimën e supozuar të vrasjes thuhet se dëshmitari e njihte këtë person e më pas kërkoi prapë kalimin në seancë private.

Tutje, avokati tha se ndalimi i dëshmitarit 1679 sipas ZPS-së, sipas dosjes paraprake të tyre, i njëjti është arrestuar me 1 prill nga anëtarë të armatosur të njësitit BIA të UÇK-së, në ditën e pestë të trajnimit të tij të paktën nga katër ushtarë të armatosur të veshur me uniforma të zeza.

Avokati tha se për shumë arsye nuk besojnë atë që pretendon ZPS të ketë ndodhur në atë datë dhe atë që dëshmitari ka thënë lidhur me trajnimin.

“Është e rëndësishme të vihet në dukje se dëshmitari 1679 pretendon se është trajnuar nga Adem Shehu, për këtë dëshmoi me 4 tetor 2021, ne e dimë me siguri se Adem Shehu komandant i brigadës 153 sipas deklaratës të tij nuk ka arritur më përpara. ZPS ka intervistuar Adem Shehun me 27 janar 2021 dhe mbrojtja po ashtu e intervistoi dhe Adem Shehu nuk tha kurrë se kishte trajnuar ndonjë rekrut në Zllash, ai tha se ka trajnuar njerëz në Tiranë”, tha tutje avokati Von Bone.

Ai tha se sipas Musli Halimit gjatë kohës që ishte aty si komandant i qendrës trajnuese de irme 7 apo 10 prill, Adem Shehu nuk ka qenë instruktor i rekrutëve dhe se këtë e ka thënë në dëshminë e tij.

“Nëse 1679 është arrestuar si ka thënë dhe sipas ZPS-së në datën e pestë të trajnimit të tij dhe duke pas parasysh fakti se Adem Shehu ka mbërritur me 28 mars, dëshmitari duhet të jetë marrë apo arrestuar me 2 prill. Nuk është e mundur që Adem Shehu të ketë filluar të trajnoj njerëz në qendrën stërvitore në Zllash në datën e mbërritjes së tij në Zllash. Mos të harrojmë që ka shkuar në këmbë nga Shqipëria në Kosovë dhe ka mbërritur në Zllash në këmbë”, tha avokati.

Ai tha se pasi të ketë ecur tërë ato ditë përjashtojnë mundësinë të ketë filluar trajnimin po atë ditë që ka arritur në Zllash.

Sipas tij, edhe nëse është trajnuar nga Shehu dëshmitari ditën që është arrestuar, atëherë historia e tij nuk del.

“Është interesante të shihet se dëshmia e 1679 para gjykatës thotë se kur ai mbërriti në vendin e ndalimit aty gjeti viktimën e pretenduar të vrarë W0594 dhe pastaj WO9593 por i jep mbiemër tjetër dhe një person të quajtur dhe tani dua të futem në seancë private”, tha avokati, ku kërkesa e tij u miratua.

Pas kthimit nga seanca private, sipas 3594, ai është arrestuar me 14 prill 1999 dhe dëshmitari 1679 tha se kur hyri për herë të parë pa katër njerëz aty, përfshirë 3594 dhe del se 1679 është arrestuar pasi 1679 ishte ndaluar përndryshe nuk do ta kishte parë.

Tutje, tha se dëshmitari 3594 është i sigurt për datën e arrestimit të tij e më pas sërish u kalua në seancë private.

Pastaj, avokati theksoi se për mbrojtjen është me rëndësi të vihet në dukje që personi i vetëm që ka mundur t’i referohet një datë të caktuar ishte 3594 dhe asnjë dëshmitar tjetër i ZPS-së nuk ishte në gjendje të jepte ndonjë referencë dhe se kjo bie në kontrast të madh me dëshmitarët e mbrojtjes.