Mbrojtja e Thaçit cakton një hetues nga Zvicra për t’i kryer hetimet

Avokati i Hashim Thaçit, David Hooper ka akuzuar prokurorinë Speciale se po ka pretendime të pabaza se kinse mbrojtja po do ta vonojë çështjen.

“Ndihet një lloj fracture mes ZPS-së dhe Gjykatës mes asaj se çka po bën mbrojtja dhe realitetit. Mund të them që për të gjitha grupet e mbrojtjes kemi një nivel përfoljeje sa i përket realizimit të hetimeve në emër dhe në llogari të mbrojtjes sonë, të të akuzuarve që përfaqësojmë. Është një keqkuptim i plotë i ZPS-së se ne po duam ta vonojmë çështjen. Kjo është diçka shqetësuese për mua. Nuk ka absolutisht asnjë lloj sugjerimi për vonimin e procesit gjyqësor nga ana e mbrojtjes dhe nuk e kuptoj se çfarë fitimi mund të ketë mbrojtja nga kjo dhe nuk e di pse prokuroria e pretendon një gjë të tillë deri në një masë”, tha Hooper.

“Me të vërtetë nuk e di se cilat janë përpjekjet e prokurorisë këtu, dhe nuk e di se çfarë i bën ata të mendojnë për këtë”, tha ai.

Ai tha se nuk i ka filluar ende hetimet.

“Personalisht do të doja të them që ne ende nuk i kemi filluar hetimet dhe përgatitjet për to. Unë personalisht nuk i shoh hetimet që mund të fillojnë përpara prillit dhe mund të them se edhe në qoftë se nuk do të ishte situata e COVID-19, do të ishte prapë situata e vështirë. COVID-19 ka vështirësuar shumë qasjen për ne. Thaçi pret që unë të vij në Hagë, dhe unë pres që të vij në fund të këtij muaji”, tha ai.

Hooper bëri të ditur se ka caktuar një hetues që jeton në Zvicër.

“Në fillim të këtij muaji kemi caktuar dikë që të funksionojë si hetues kryesor. Ai është një person që jeton në Zvicër dhe i ka vështirësitë e veta”, tha ai.

“Nuk e shikoj që të kemi mundësi të fillojmë hetimet edhe për pak muaj”, tha ai.