Mbrojtja e Veselit flet për 400 dokumente: Prokuroria s’i lëshoi ato të jashtë Kosovës e Serbisë

Mbrojtja e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Ben Emmerson, ka shprehur qëndrimin e tij për rëndësinë e marrjes së autorizimit për publikim edhe të 400 dokumenteve të cilat siç u shpreh ai, kanë rol kyç në caktimin e trupit gjykues në këtë proces.

”Këto materiale janë të rëndësishme sepse janë nga palë që nuk kanë qenë të përfshira në konflikt”, deklaroi Emmerson para të pranishmëve, përcjell Klankosova.tv.

”Sasia e materialeve për të cilat ende nuk është marrë autorizim dhe s’janë lëshuar, është 400 dokumente. Ne e kemi të qartë se çfarë ndikimi ky lloj dokumentacioni mund të ketë. Dokumentacion nga burime qeveritare apo ndërqeveritare dhe që mund t’i jep njëfar forme çështjes. Shihet më së miri me materialin e rregullës 107 dhe materiale kyçe nuk i janë nxjerrë mbrojtjes”.

”Ajo që është një problem akut për nxjerrjen e materialeve të rregullës 107 është se mund të jenë përfshirë materiale që mund të jenë të rëndësisë së konsiderueshme për Trupin Gjykues që do të caktohet në këtë çështje. Materiale prej burimeve të pavarura, që janë jashtë dy protagonistëve kryesorë”, specifikoi ai.

Gjatë paraqitjes së sotme, për ecurinë e çështjes, mbrojtja e Veselit, shprehën vërejtjet për moskryerje të punës nga Prokuroria e Specializuar.

Kjo sipas tij, meqë prokuroria ka shkaktuar paqartësi kur nxori materialet e rregullës 107, përfshiu materiale të rregullës 103, duke shkaktuar përzierje dokumentacionesh të rëndësishme për këtë proces.

Sipas Emmerson, materialet që duhet të zbulohen, janë të rëndësishme sepse vijnë nga jashtë Kosovës e Serbisë.