Memli Krasniqi viziton komunat në veri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar sot komunat në veri të Kosovës, ku është pritur nga kryetari i Zveçanit, Ilir Peci dhe ai i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se ka parë nga afër sfidat dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohen qytetarët në këto vendbanime.

“Sot, vizitova Zveçanin dhe Zubin Potokun, ku takova Kryetarët e këtyre dy komunave, Ilir Pecin në fshatin Kelmend dhe Izmir Zeqirin në fshatin Çabër. Pashë nga afër sfidat dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohen jo vetëm Kryetarët e komunave, por edhe qytetarët shqiptarë në këto vendbanime”, shkruan ai.

Kreu i PDK-së i ka falënderuar kryetarët Peci dhe Zeqiri për përkushtimin në kryerjen e detyrës së tyre me përgjegjësi dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke kontribuar në paqe dhe shtensionim të situatës në komunat ku qeverisin.

“Të dy kryetarët i falënderova për përkushtimin, sakrificën dhe vullnetin, që, përkundër kushteve jo adekuate, detyrën e tyre ta ushtrojnë me durim, përgjegjësi dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke kontribuar në paqe dhe shtensionim të situatës në komunat e tyre. Para se gjithash, sot, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci janë në shërbim të qytetarëve, të komunave të tyre dhe të shtetit të Kosovës. Dhe, për këtë, ata gëzojnë mbështetjen e plotë timen dhe të Partisë Demokratike të Kosovës”, shkruan Krasniqi.