Merret vendimi: Ambasadorët e BE-së i japin dritën jeshile liberalizimit

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar të mërkurën për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Teksti është përpiluar nga Çekia, e cila ka udhëheqjen aktuale të BE-së, pas disa takimeve të grupeve punuese dhe diskutimeve dypalëshe me vendet që kanë pasur vërejtje.

“Sot kemi marrë një hap të rëndësishëm para për udhëtim pa viza për Kosovën dhe tash shpresojmë të arrijmë marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundshëm për shkak të përpjekjeve të Kosovës për të forcuar kontrollet e saj kufitare, menaxhimin e migrimit dhe sigurinë, dhe besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm se do të forcohet në të ardhmen”, ka thënë ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, në një komunikatë për media të publikuar të mërkurën në uebfaqen e Këshillit Evropian.

Sipas dokumentit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Deri atëherë, Kosova duhet të synojë të ketë “marrëveshje apo aranzhime” për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat nuk i ka.

Kosovës, po ashtu, i kërkohet të vazhdojë të përshtasë politikën e saj të vizave me atë të BE-së, ndërkohë që i mbetet të kalojë edhe nëpër disa procedura të tjera që i kërkojnë vendet anëtare.