Mësohet fati i 3 shqiptarëve

Tre shqiptarë janë dënuar nga një gjykatë britanike pasi u kapën me kokainë, vlera e së cilës do të sillte deri në 500.000 Paund fitime nëse do të dilte në treg. Mediat raportojnë se arrestimi u krye pas një operacioni të autoriteteve që mbante nën mbikëqyrje një adresë në Kingswood, ku banonin tre të rinjtë.

D. Markeci, 29 vjeç; E. Cena, 26 vjeç dhe D. Zili, 25 vjeç, tentuan arratisjen, por më kot pasi u vunë në pranga menjëherë nga autoritetet. Markeci dhe Cena pranuan fajësinë për posedim kokaine me qëllim shpërndarjen. Ata pranuan fajësinë edhe për përdorim fals të mjeteve të identifikimit. Për këtë akuzë edhe Zili pranoi fajësinë.

Gjykatësi dënoi me 7 vjet Cenën, 5 vjet e 8 muaj Markecin dhe 6 muaj Zilin. Droga dhe dokumentet false u shkatërruan, ndërsa raportohet se Cena dhe Markeci me shumë mundësi do të deportohen pasi të përfundojnë dënimin.

Si u arrestuan të rinjtë?

Prokurori James Hakell deklaroi se fillimisht u ndalua 29-vjeçari Markeci. Ai udhëtonte me një makinë tip “Golf”, ku brenda kishte fshehur 1 kilogram kokainë. Nga ana tjetër, Cena u përpoq të arratisej, por u arrestua dhe u gjet me 4 kilogramë kokainë. Në banesë, u gjet një kilogram tjetër kokainë, lista e shpërndarësve dhe 6.000 Paund cash.

Ndërsa Zili, i cili kishte dalë nga shtëpia me një makinë “Mercedes”, u arrestua i fundit. Atij iu gjet një kartë identiteti false rumune. Avokatët mbrojtës të të rinjve deklaruan se ata kishin shkuar në Britani në mënyrë të paligjshme me qëllimin e vetëm që të ndihmonin familjarët e tyre ekonomikisht./tvklan.al