Meta iu referua për tërmet apokaliptik, reagon sizmologu grek: S’kam bërë kurrë parashikim specifik për tërmet

Sizmologu grek, Akis Tselentis drejtor i Institutit Gjeodinamik Observatori Kombëtar të Athinës, ka reaguar duke përgënjeshtruar deklaratën e Presidentit Meta, i cili e citonte në një letër dërguar institucioneve për paralajmërimin e një tërmeti apokaliptik që do godiste Ballkanin.

“Asnjëherë nuk kam bërë asnjë parashikim specifik për tërmete. E gjitha kjo është fake (e rreme) dhe qesharake. Asnjëherë nuk kam qenë në kontakt me presidentin tuaj”, thekson ai, në një reagimin për “shqiptarja.com”.

Në letrën drejtuar Kryeministrit Rama, zv.kryeministrit Braçe dhe ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, siç raportojnë mediet e ndryshme, Meta shkruan se “sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës”./atsh