Migjen Basha firmos për dy vite me skuadrën australiane

Migjen Basha ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me “Melbourne Victory”. 32-vjeçari bëhet shqiptari i dytë që vesh fanellën e “Melbourne Victory”, pas Besart Berishës.

Ish-mesfushori i kombëtares kuqezi, Basha mbylli aventurën e tij në kampionatin grek me “Arisin” e Selanikut, për t’u transferuar në Australinë e largët, ku nënshkroi për dy sezone me skuadrën e “Melbourne Victory”.

Futbollisti njoftoi pak ditë më parë tërheqjen edhe nga Kombëtarja shqiptare, pas 33 ndeshjesh me fanellën kuqezi. Trajneri i “Melbourne Victory”, Marco Kurz, u shpreh entuziast për blerjen e Bashës. “Jam shumë i lumtur që një lojtar i tillë vjen te ne. Besoj se do të jetë një lider i fortë në këtë grup”, tha Kurz.

Migjen Basha e nisi karrierën te skuadra zvicerane e “Laussane”. Më pas u transferua në Itali te “Torino”, “Frosinone”, “Atalanta” e “Bari”. Për të kaluar më tej te “Aris” në Greqi./atsh