Kurti: Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë që ndodhen nën rrethimin e forcave tona, i ftoj të dorëzohen

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka njoftuar se në zonën ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndodhen rreth 30 persona rëndë të armatosur nën rrethimin e policisë, dhe të njëjtit i fton që të dorëzohen.

“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtaratë e policë, që janë nën rrethimin e forcave tona dhe i ftoj të dorëzohen. Ata janë që po e sulmojnë policinë tonë edhe pasi e kanë vrarë Afrim Bunjakun dhe kanë plagosur Alban Rashitin”, tha Kurti, transmeton Gazeta Express.

Tutje, Kurti tha se Afrim Bunjaku, u vra mizorisht në krye të detyrës.

Ai konferencën e nisi me fjalët pati “sulm terrorist ndaj policisë, rendit sigurisë dhe paqes, në mëngjesin e sotëm pas një sulmi të orkestruar ka humbur jetën Afrim Bunjaku, në trajtim ndodhet AlbanRashiti që ndodhet jashtë rrezikut për jetë, do të lirohet nga spitali sot pas operacionit që largoi një predhë nga krahu i majtë”, tha ai.